AKTUALE

BDI: Avancimet një etnike në Arsim dëshmojnë përjashtimin sistematik të shqiptarëve – Zëvendësministri nga LEN pa informim, pa ndikim

Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për avancimet e fundit në Ministrinë e Arsimit, ku shtatë persona janë ngritur në pozita të larta, pesë prej tyre si këshilltarë shtetërorë – të gjithë të përkatësisë maqedonase dhe asnjë shqiptar – duke dëshmuar një prirje të qartë për përjashtim etnik nga struktura vendimmarrëse.

Kjo komunikatë nuk ka për qëllim ta kritikojë ministren e Arsimit, por të informojë publikisht zëvendësministrin shqiptar nga koalicioni LEN, i cili – sipas informacioneve tona – as që është njoftuar për këto vendime, e aq më pak të ketë pasur ndikim për t’i parandaluar ato.

Fakti që një përfaqësues shqiptar mbahet në errësirë dhe pa rol në një nga dikasteret më të rëndësishme të shtetit, është tregues i qartë se pjesëmarrja shqiptare në qeverisje po reduktohet në një fasadë formale.

Ky zhvillim nuk është as rastësor e as i papritur, por pjesë e logjikës së shpallur përmes fushatës “Maqedonia sërish e juaja” dhe anulimit të balancuesit që garantonte barazinë ndëretnike – një filozofi që tashmë po zbatohet përmes përjashtimit të heshtur të shqiptarëve nga pozitat strategjike në administratë.

Në këtë kontekst, kritikat ndaj VMRO-DPMNE-së janë të kota, sepse ajo po vepron saktësisht sipas planit të shpallur.

Pyetja që shtrohet është e thjeshtë: çfarë kuptimi ka pjesëmarrja shqiptare në qeverisje, kur përfaqësuesit e saj as nuk informohen, e as nuk dëgjohen?

Related posts

Bujar Osmani: Nga Tetova fillojmë me misionin e rëndësishëm

Gjyla Halili

Arben Fejzullahu zgjidhet shef i shtabit zgjedhor për Këshillin Komunal të PDE në Çair

Gjyla Halili

Mexhiti: Do marrim pjesë në mbledhje, fraksioni është pjesë e BDI-së

admin