AKTUALE

Takimi i Ambasadorit të Republikës së Kosovës, dr. Martin Berishaj, me Drejtorin e Qendrës Universitare për Informatikë dhe Infrastrukturë Digjitale “Srce” në Zagreb, z. Ivan Marić

Në hapësirat e Institucionit “Srce” (Sveučilišni računski centar) në Zagreb, u zhvillua takim zyrtar ndërmjet Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci, dr. Martin Berishaj, atasheut te migrimit z. Sefadin Kuçi dhe Drejtorit të këtij institucioni të rëndësishëm akademik dhe shkencor, z. Ivan Marić.

Drejtori Marić prezantoi përmbajtjen dhe rëndësinë strategjike të Institucionit “Srce”, i cili nga themelimi në vitin 1971 e deri më sot, është konsoliduar si një nga qendrat kryesore për zhvillimin e infrastrukturës digjitale dhe teknologjisë informatike në sistemin universitar dhe shkencor kroat. “Srce” luan një rol kyç në mbështetjen e proceseve akademike dhe kërkimore përmes ofrimit të platformave digjitale, burimeve të përbashkëta kompjuterike dhe trajnimeve profesionale në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK).

Në fokusin e veprimtarisë së “Srce”-s janë projektet ndërdisiplinore, zhvillimi i sistemeve të avancuara softuerike, përpunimi i të dhënave të mëdha për qëllime akademike dhe kërkimore, si dhe ndërlidhja e institucioneve të arsimit të lartë përmes rrjeteve akademike kombëtare dhe ndërkombëtare. Bashkëpunimet e saj përfshijnë universitete kryesore si Universiteti i Zagrebit, Universiteti i Splitit, Universiteti i Osijekut, si dhe institute kërkimore prestigjioze si Instituti “Ruđer Bošković”. Financimi realizohet kryesisht nga Ministria e Shkencës, Arsimit dhe Rinisë e Kroacisë, projektet e Bashkimit Evropian dhe të ardhurat nga shërbimet e specializuara.

Ambasadori dr. Berishaj shprehu mirënjohjen e tij për mikpritjen dhe theksoi vlerësimin e lartë për kontributin e “Srce” në zhvillimin shkencor dhe digjital të arsimit të lartë në Kroaci. Ai nënvizoi gatishmërinë për të iniciuar dhe zhvilluar bashkëpunim të strukturuar midis Institucionit “Srce” dhe Universitetit të Prishtinës, veçanërisht në fushat e digjitalizimit të artikujve shkencor revistave shkencore, teknologjisë së informacionit, transformimit digjital të teksteve universitare dhe edukimit të stafit akademik dhe teknik.

Drejtori Marić mirëpriti propozimin dhe u angazhua për vendosjen e kontakteve konkrete me përfaqësues të Universitetit të Prishtinës, si dhe për organizimin e një prezantimi tematik mbi kapacitetet dhe fushat e ekspertizës së Institucionit “Srce”.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të bashkëpunimit akademik dhe shkencor ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, duke hapur perspektiva të reja për shkëmbime digjitale, projekte të përbashkëta kërkimore dhe ngritje të kapaciteteve teknologjike në arsimin e lartë.

Related posts

Avokati Antonio Apostollski do ta përfaqësojë ish drejtorin e Lotarisë Shtetërore

Gjyla Halili

VMRO: I bëjmë thirrje Prokurorisë të hetojë se në xhepin e kujt përfunduan tre milionë euro të parapara në MEPSO

Gjyla Halili

Sot rundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, Stano: Nevojë urgjente për nisjen e zbatimit të detyrimeve

Gjyla Halili