Sot në Bashkësinë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai më bashkëpunëtorët e tij, priti në vizitë zyrtare, kryetarin e Bashkësisë Islame të Bosnjë dhe Hercegovinës, Dr. Husein Ef. Kavazoviç, të cilin e shoqëruan edhe Dr. Mevludin Ef. Dudiq, Mufti i Sanxhakut, Ed’hem Biçakçiq, Kryetar i Kuvendit të BI të BeH, Muhamed Jusiq, drejtor i diasporës së BI të BeH, Hfz. Dr. Almir Pramenkoviç, kryetar i Kuvendit të Muftinisë së Sanxhakut, Rifat Fatiç, shef i kabinetit të Reisit Dr. Husein Ef. Kavazoviç, Azra Efendiç Eminoviç, bashkëpunëtore për marrëdhënie me publikun dhe Muhamed Jugo, bashkëpunëtor për marrëdhënie me botën e jashtme. Delegacioni i lartë i Bashkësisë Islame të BeH u prit nga Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai me gjithë bashkëpunëtorët e tij, sekretarin e përgjithshëm të BFI-së, muftinjtë e muftinive të BFI-së, drejtorët e Rijasetit, drejtori i Medresesë “Isa Beu” dhe mysafirë tjerë që kishin ardhur për ta nderuar mysafirin e lartë.
Në kuadër të kësaj vizite, të dy kryetarët e Bashkësive Fetare, Fetai dhe Kavazoviç, nënshkruan edhe memorandum bashkëpunimi që përfshin bashkëpunim në shumë sfera, fetare, kulturore, arsimore mes dy bashkësive fetare.
Në deklaratën e tyre për mediat pas nënshkrimit të memorandumit, të dy krerët e bashkësive fetare thanë se është nder dhe kënaqësi që sot janë bashkë dhe se ky tubim është një reflektim i lidhjes që bashkon komunitetet tona, një lidhje e rrënjosur në respektin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.
Reisul Ulema, H. Hfz Shaqir Ef. Fetai, tha se si liderë të dy bashkësive fetare mbajnë përgjegjësi për kultivimin dhe forcimin e këtyre lidhjeve dhe mbështetjen e ndërsjellë.
“Si liderë të Bashkësive Islame, ne mbajmë përgjegjësinë për t’i ushqyer këto lidhje, për të punuar së bashku në harmoni dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në ndjekjen e drejtësisë, prosperitetit dhe rritjes shpirtërore. Respekti i ndërsjellë është themeli i çdo marrëdhënieje të qëndrueshme. Përmes respektit ne nderojmë diversitetin e traditave dhe kulturave tona, ndërkohë që mbetemi të bashkuar nën flamurin e Islamit. Respekti ynë i ndërsjellë na forcon, duke na lejuar të përqafojmë dialogun, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”.
Reisul Ulema tha se kjo vizitë është historike dhe se në rrethanat e kohës, bashkëpunimi është i domosdoshëm për t’u përballur me sfidat.
“Bashkëpunimi ynë është thelbësor për t’u përballur me sfidat e kohës sonë. Qoftë në promovimin e arsimit, mbështetjen e të rinjve, mbrojtjen e të pambrojturve apo përkrahjen e paqes, përpjekjet tona të bashkuara gjithmonë do të japin më shumë fryte sesa puna e vetmuar. Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut janë fqinjë jo vetëm gjeografikisht por edhe shpirtërisht. Së bashku, ne mund të frymëzojmë të tjerët që të shohin fuqinë e unitetit dhe bekimet që sjell në përpjekjet tona kolektive”, tha Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai.
Edhe kryetari i Bashkësisë fetare të BeH, Dr. Husein Ef. Kavazoviç, tha se është shumë i nderuar dhe falënderoi për pritjen madhështore nga Bashkësia Fetare e RMV-së dhe udhëheqësve të saj. Kavazoviç tha se ne jemi vëllezër, sepse një kohë të gjatë kemi qenë një bashkësi. Tani jemi në bashkësi të ndara, por qëllimi dhe interesat përsëri janë të përbashkëta. Falënderoi Reisin dhe muftinjtë e BFI-së për gjithë atë që bëjnë që edhe bashkësia Bosnjake në vend gëzon të drejtat e barabarta dhe është pjesë e pandarë e BFI-së, që edhe ata japin kontributin e tyre të çmuar për zhvillimin dhe ngritjen e jetës fetare në vend.


