Ulja e temperaturave ka sjellë reshje dëbore këtë pranverë në zonat veriore të vendit, por edhe në juglindje.
Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata në Rrugën e Kombit si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës situata në disa akse rrugore gjatë ditës së sotme është nën kontroll. Po punohet me 27 borëpastruese dhe hedhëse kripe njëkohësisht, ku 8 borëpastruese po punojnë në pjesën e aksit që shtrihet në territorin e Qarkut Lezhë (bashkia Mirditë), kurse pjesa tjetër e mjeteve, 19 mjete, po punojnë në pjesën e këtij aksi në territorin e Qarkut Kukës. Aksi është i kalueshëm.
Në aksin rrugor nacional Elbasan-Qafë Thanë, në Qafë Thanë ka prezencë të reshjeve të dëborës dhe ne terren janë mjetet e firmës kontraktuese qe po bëjnë pastrimin e aksit nga dëbora. Prezencë dëbore rreth 10 cm kemi edhe ne aksin rrugor nacional Zgosht-Ura Cerenecit. Edhe aty po punohet me mjet borëpastrues për mbajtjen hapur të qarkullimit të mjeteve.
Sipas njoftimit nga sistemi i Mbrojtjes Civile, në Qarkun e Korçës kanë filluar reshjet e dëborës në të gjithë territorin në lartësitë mbi 700 m. Subjektet kontraktore janë në gatishmëri duke mundësuar mirëmbajtjen dimërore të akseve turistike kryesore dhe dytësore në bashki.
Territori i qarkut Dibër në lartësinë mbi 500 metra mbi nivelin e detit është përfshirë nga reshje dëbore të cilat variojnë nga 3-15 cm dhe vazhdojnë të jenë të pranishme me intensitet mesatar.
Situata në infrastrukturën rrugore si nacionale apo rurale vazhdon të jetë e aksesueshme në të gjithë territorin. Nga subjektet kontraktore po punohet me mjete e lëshim kripe në segmente që shfaqen problematika.
I gjithë territori i qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu e borë, ku dhe në këto momente vazhdojnë të jenë të pranishme. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin nga bora dhe kriposjen e atyre segmenteve ku ka qenë e nevojshme me qëllim mbajtjen funksionale të tyre.
Në qarkun Shkodër, të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme. Në aksin rrugor Bogë-Theth kalimi bëhet vetëm nga mjetet e kalueshmërisë së lartë dhe të pajisura me zinxhirë. Aktualisht në këtë aks po punon një mjet borëpastruese e cila e ka të pamundur mbulimin e gjithë segmentit. Aksi rrugor Tamarë – Vermosh është i kalueshëm, por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Për ditën e nesërme, priten reshje mesatare në qarkun Dibër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare, shoqëruar me shtrëngata. Në zonat malore në Veri, Verilindje, Lindje dhe Juglindje të vendit, në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë: në bregdet: 5 / 12 °C; në vendet e ulëta: 2/ 13 °C; në vendet malore: -4 / 4 °C.
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa vijon monitorimi dhe koordinimi me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të menaxhuar në kohë çdo situatë emergjente që mund të krijohet.