Në postimet dhe daljet e mia, në vazhdimësi kam reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit dhe politikës së rrezikshme etnonacionaliste me elementë deri edhe fashist, të shoqëruar me një albanofobi të theksuar, të cilën ai dhe struktura e tij partiake po e ndjek dhe promovon.
Erdhi në pushtet me premtime se gjithçka që kanë shqiptarët do t’ua marin, gjithçka që ndërtuan shqiptarët do t’ua prishin e mundësisht edhe t’i shporrin nga këtu. Fajtorë kujdestar po shpallen shqiptarët, të paaftë shqiptarët. Dhe ne përpiqemi t’ua rikujtojmë se janë në rrugë të gabuar. Megjithatë ata e dinë! Një gjë është botërisht e ditur se shqiptarët nuk janë si në vitet e 90-ta, as për nga niveli intelektual e as për nga niveli ekonomik. Prandaj epilogu i politikave të lartëpërmendura vështirë se mund të parashikohet lehtë!
Është jonjerëzore dhe e pandershme të bëhet politikë në rastet e tragjedive të mëdha, si kjo e Koçanit, e cila rëndë na ka goditur të gjithëve. Por me sa duket edhe këtë situatë Kryeministri dhe pushtetarët tjerë po e shfrytëzojnë për propagandë dhe ruajtje të rejtingut në opinion. Me këtë mundohen t’i mbulojnë dështimet në shëndetësi, në qeverisjen lokale dhe në strukturat e MPB-së dhe t’i ikin përgjegjësisë, ndërsa kur ishin në opozitë, flisnin fjalë të mëdha. Këtu as që ka filluar lufta kundër krimit dhe korrupsionit, gjithçka është vetëm një teatër politik e drejtësia selektive fuqishëm në veprim.
Në gjithë këtë kaos, ka dy situata që nuk i shkojnë në favor qeverisë: e para qytetarët më e kanë humbur besimin tek kjo qeveri dhe e dyta, të gjitha mediat dhe gazetarët pa dallim, këto ditë janë munduar të informojnë në mënyrë objektive, duke respektuar kodin etik. Dy elementë të cilët janë armiq të përbetuar të regjimeve autoritare. Kështu nuk do të shkojë gjatë!
#dorëheqje
#përgjegjësi
#drejtësi