Në vitin 2021 dallimi në pronësinë e llogarive të pagesave midis burrave dhe grave në nivel global është ulur në 6 përqindje pikë, por ka ende shumë gjasa se gratë do të kenë llogari joaktive dhe do të kenë më pak qasje në shërbimet financiare. Njëjtë është gjendja edhe në vend. Edhe pse është vërejtur përmirësim, hendeku gjinor në qasje në financa ende ekziston. Sipas të dhënave të fundit në vitin 2021, 79,9 për qind e femrave dhe 90,6 për qind e meshkujve në Maqedoninë e Veriut zotëronin një llogari pagese. Ky hendek gjinor prej 10,7 për qind pikë është dukshëm më i lartë se mesatarja në Evropë dhe Azinë Qendrore, ku është 3,2 për qind pikë. Këto të dhëna nuk janë vetëm statistika, ato janë një tregues i qartë se duhet të merren masa të mëtejshme për të përmirësuar përfshirjen financiare të grave, thotë guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoska.
Në intervistën për ueb portalin “Pari.mk”, Angellovska-Bezhoska thekson se qasja në financa është e një rëndësie të madhe për pavarësinë ekonomike, për menaxhimin më të mirë të financave personale dhe familjare, si dhe për krijimin e një të ardhmeje më të sigurt.
Pabarazia gjinore, theksoi guvernatorja, është një nga çështjet globale që duhet diskutuar vazhdimisht dhe duhet ndërmarrë masa. Sipas hulumtimit të Bankës Botërore, megjithëse ka pasur disa përparime në dekadën e fundit, hendeku gjinor në pronësinë e llogarive në ekonomitë në zhvillim mbetet i rëndësishëm.
“Qasja në shërbimet financiare krijon mundësi për sipërmarrje, investime dhe pjesëmarrje aktive në ekonomi. Qasja në shërbimet bankare, kreditë dhe kursimet kontribuon në uljen e pabarazive ekonomike dhe krijimin e kushteve më të mira të jetesës për gratë dhe komunitetet e tyre. Gjithashtu, barazia gjinore në sektorin financiar sjell përfitime si për gratë ashtu edhe për shoqërinë në tërësi, përmes inkurajimit të rritjes dhe progresit ekonomik. Për të kapërcyer këtë sfidë, duhen bërë ndryshime në politikat e korporatave, përkushtim i shtuar ndaj edukimit financiar dhe përfaqësim më i madh i grave në rolet e lidereve. Gratë po pushtojnë gjithnjë e më shumë botën financiare, por barazia e vërtetë kërkon një qasje sistematike për të adresuar pengesat që i kanë mbajtur ato në margjina për vite me radhë”, shtoi Angellovska -Bezhoska.