Më 25 dhe 26 shkurt, një delegacion i Bashkësisë Fetare Islame, i përbërë nga Driton Dikena, Drejtor i Agjencisë për Hallall Standard, i shoqëruar nga Fati ef. Azizi, përgjegjës për Sektorin e Administratës, mori pjesë në Forumin e Hallallit në Mekë, Arabinë Saudite. Ky forum ndërkombëtar shërbeu si një platformë e rëndësishme për diskutimin e standardeve Hallall, zhvillimet më të fundit në këtë sektor dhe rëndësinë e tij në ekonominë globale.
Forumi përfshiu një panair të produkteve Hallall, takime të drejtpërdrejta B2B dhe ligjërata nga ekspertë të shquar ndërkombëtarë. U theksua se standardi Hallall nuk është vetëm një çështje fetare, por edhe një vlerë ekonomike e qëndrueshme, e cila siguron cilësi, siguri dhe integritet në produktet dhe shërbimet që konsumatorët kërkojnë gjithnjë e më shumë në tregun global.
Gjatë qëndrimit në Mekë, delegacioni zhvilloi takime me personalitete kyçe në fushën e certifikimit Hallall, duke përfshirë:
Dr. Muhamed Sheha, Drejtor Financiar i Dhomës Islame të Shërbimeve Hallall [Islamic Chamber Halal Services]
Dr. Thamer Baazeem, Zëvendësdrejtor për Zhvillim Strategjik në Qendrën Saudite për Hallall [Saudi Halal Center]
Aish Yousef Fallatah, Përgjegjëse në Departamentin e Akreditimit të Trupave Certifikues [Accreditation of Certification Bodies Department]
Muhammad A. Aljeaid, Drejtor i Zyrës Strategjike në Qendrën e Akreditimit të Shteteve të Gjirit [GCC Accreditation Center]
Dr. Muhamed Kamel, Përgjegjës Teknik i Autoritetit Botëror për Hallall [World Halal Authority]
Ameer Mohammed nga Tregu Amerikan i Hallallit [US Halal Market]
Po ashtu, u mbajtën takime edhe me përfaqësues të Trupit Botëror Hallall [World Halal Trust], Korporatës Ndërkombëtare të Ushqimit dhe Ushqyesve Hallall [IFANCA], Organizatës së Certifikimit Hallall nga Malajzia [JOAKIM – Malaysia], Universitetit Islamik të Indonezisë [MIU – Indonesia], Institutit të Standardeve dhe Metrologjisë për Vendet Islame [SMIIC], Këshillit Botëror të Hallallit [World Halal Council] dhe Bankës Islame për Zhvillim [Islamic Development Bank].
Temat kryesore të diskutimeve përfshinë bashkëpunimin ndërinstitucional, promovimin e standardeve Hallall dhe rëndësinë e unifikimit të certifikimeve për të garantuar një treg më të qëndrueshëm dhe të besueshëm.
Përveç diskutimeve me ekspertë të ndryshëm botërorë, delegacioni vizitoi kompanitë të cilat kishin ekspozuar produktet dhe shërbimet e tyre, duke parë nga afër zhvillimet më të fundit në industrinë Hallall.
Ky forum dëshmoi edhe një herë rëndësinë e standardit Hallall në ekonominë globale, duke kontribuar në rritjen e besimit të konsumatorëve, zgjerimin e tregjeve dhe sigurimin e cilësisë në produkte dhe shërbime.