Kryetari i shoqatës atdhetare “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj i shoqëruar nga bashkëshortja Sylvia Dedivanaj dhe bashkëpunëtorë të tjerë ka marë pjesë në organizimin tradicional Lutjet e Mëngjesit në Uashington, organizim i cili këtë vit bëri bashkë numër të madh liderësh botërorë, zyrtarë të lartë shtetërorë, si dhe figura të dalluara dhe të shquara nga sferat politike, ekonomike dhe shoqërore.
Dedivanaj në margjinat e këtij aktiviteti ka realizuar dhe një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë amerikan
duke përfshirë anëtarë të Kongresit Amerikan si dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit.
“Kur jeni në tempullin botëror të demokracisë dhe lirisë, me aleatë të vërtetë e të dëshmuar, me përkrahës të çështjeve kombëtare shqiptare dhe me bashkatdhetarët tanë, kuptoni se jeni në rrugën e duhur dhe se po ecni me hapa të sigurt drejt përmbushjes së idealit të bashkimit”- ka shkruar Dedivanaj.
Gjithashtu Dedivanaj në këtë eveniment ka takuar dhe ish-kryeministrin e shtetit amë, z. Pandeli Majko si dhe njërën nga deputetet më aktive të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Blerina Gjylameti.
Ja postimi plotë:
Kur jeni në tempullin botëror të demokracisë dhe lirisë, me aleatë të vërtetë e të dëshmuar, me përkrahës të çështjeve kombëtare shqiptare dhe me bashkatdhetarët tanë, kuptoni se jeni në rrugën e duhur dhe se po ecni me hapa të sigurt drejt përmbushjes së idealit të bashkimit!
Ishte kënaqësi e veçantë për ne që morëm pjesë në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, në këtë ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe tradicionale që edhe këtë vit mblodhi një numër të madh liderësh botërorë, zyrtarë të lartë shtetërorë, si dhe figura të dalluara dhe të shquara nga sferat politike, ekonomike dhe shoqërore. Folësi kryesor në këtë edicion të Lutjeve të Mëngjesit ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Donald Trump, i cili me praninë dhe fjalimin e tij kontribuoi në suksesin e përgjithshëm të këtij manifestimi.
Kishim nderin që, në margjinat e këtij aktiviteti, të zhvillonim një sërë takimesh bilaterale me zyrtarë të lartë amerikanë, duke përfshirë anëtarë të Kongresit Amerikan si dhe përfaqësues të Departamentit të Shtetit. Ishte vërtet frymëzuese për ne që të zhvillonim bashkëbisedime dhe takime konkrete me figurat më të rëndësishme politike amerikane në lidhje me përparimin e komunitetit shqiptar në SHBA, zhvillimin e vendlindjes sonë si dhe përmbushjen e synimeve tona atdhetare. Gjithashtu patëm rastin të bashkëbisedojmë edhe me bashkombasit tanë, ndër të cilët do të veçojmë ish-kryeministrin e shtetit amë, z. Pandeli Majko si dhe njëren nga deputetet më aktive të Kuvendit të Shqipërisë, znj. Blerina Gjylameti.
Edhe në të ardhmen do të marrim pjesë me shumë kënaqësi në bashkime të tilla, duke vlerësuar gjithmonë partneritetin dhe marrëdhëniet vëllazërore të përjetshme midis popullit shqiptar dhe atij amerikan dhe duke punuar çdo herë me përkushtim në realizimin e idealit tonë kryesor kombëtar!
Të bashkuar, nga Uashingtoni e deri në çdo cep të globit që frymon shqip!