AKTUALE

Ftesë Nderi për “GAZETA e ALPEVE” nga Këshilli Organizativ i Inaugurimit Presidencial në SHBA

-Mesazh nga Uashington D.C., i z. Ramiz TAFILAJ – Drejtor i Përgjithshëm i “Gazeta e Alpeve” – dy ditë para Inaugurimit Zyrtar Ceremonial të Presidentit të Amerikës, ku është e ftuar edhe “Gazeta e Alpeve”, mes shumë mediave e personaliteteve botërore –

Nën kujdesin shumë profesional dhe vizionar të ekipit botues të kësaj gazete, të kryesuar nga z. Besnik Mustafaj dhe artikuluar nga kryeredaktor z. Ramiz Lushaj, më 20 janar 2025, gazeta jonë ndodhet në kupolën e demokracisë botërore, e ftuar në Inaugurimin solemn Presidencial në SHBA.
Unë, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të kësaj gazete, sot ndihem më krenar se kurrë.

Ndihem krenarë, sepse sot përfaqësojë një gazetë, e cila me shumë sakrifica po rritet nga një gazetë e vogël në një gazetë kombëtare gjithëpërfshirëse dhe po shkëlqen mes shumë mediave botërore.

Gjithë lavdia dhe krenaria ju takojnë Juve, Stafit profesional të “Gazeta e Alpeve”, Këshillit Drejtues e Botues, Redaksisë, Rrjetit të Kordinatorëve të saj, për ngritjen e kësaj gazete në piedestalin më të lartë të profesionalizmit gazetaresk. Padyshim që lëvdata shkon për lexuesit dhe abonentët e gazetës, të cilët na japin kurajë të vazhdojmë punën tonë dhe këtë e dëshmojnë abonimet e shumta, sidomos në këtë tremujor të fundit.

Për të kuptuar sa më mirë dhe për të qenë sa më pranë lexuesve, gazeta jonë organizon dhe do të vazhdojë të organizojnë “TAKIME TË MËDHA KOMBËTARE, NDËRBALLKANIKE DHE EURO-ATLANTIKE”. Pjesëmarrja në këto takime sa vjen e shtohet dhe të ftuarit e nderit të këtyre takimeve vijnë nga të gjitha sferat e jetës sonë kombëtare. Këtu dua të falënderoj të gjithë mbështetësit dhe veçmas mbështetësit financiarë të këtyre takimeve.

Për lexuesit dhe mbështetësit financiarë, unë si Drejtor i Përgjithshëm i kësaj gazete tashmë prestigjioze, ju premtoj në emër të Këshillit Botues, Bordit Drejtues, kryeredaktorit z. Ramiz Lushaj dhe stafit tonë, se do të vazhdojmë t’i shërbejmë Kombit dhe të mos jemi të nënshtruar ndaj asnjë partie politike apo person politik. Jemi të vetëdijshëm se kemi ende shumë punë për të bërë, por besoj thellë se me mbështetjen mbarëkombëtare nga lexuesit do të bëjmë shumë punë në shërbimin kombëtar.

“GAZETA e ALPEVE” ka thyer tashmë të gjithë kufijtë imagjinarë që na ndajnë në vende të ndryshme të Ballkanit dhe në Diasporë dhe fokuson vëmendjen vetëm në interesat mbarëkombëtare të popullit tonë shumë të trazuar, por gjithmonë krenarë. Sot gazeta jonë ka abonentë në të gjitha trevat shqiptare, por edhe në Diasporë, përfshirë Evropën, Amerikën, Azinë, madje edhe Afrikën. “Gazeta e Alpeve” është e abonuar edhe nga Libraria e Kongresit Amerikan.

Kur presidenca e vendit mik, AMERIKA kalon nga një president te tjetri dhe nga njëra parti te tjetra në mënyrë shumë paqësore dhe demokratike, ky veprim i shenjtë duhet të jetë udhërrëfyes edhe për ne shqiptarët. Shpresoj dhe lutem që të zhduken barrierat mes partive politike dhe personave dhe në veprimet e secilit prej nesh dhe të mbizotërojë interesi kombëtar Shqiptar.

Uashington D.C, 18 janar 2025

Related posts

Kërkesa e BDI-së për zgjedhje të parakohshme, Mickoski: Për disa politikanë problemet ende nuk kanë nisur, do të nisin së shpejti

Gjyla Halili

KUVENDIME:”Ekspozita e Tiranës”, 12 dhjetor 2023

admin

Kurti sot pritet të paraqitet në Prokurorinë Speciale

Gjyla Halili