Sot, 17 janar (e xhuma), Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV – së, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i shoqëruar nga Muftu i Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili, drejtori i SHMI Medreseja “Isa Beu”, Dr. Islam ef. Islami, drejtorët e sektorëve të Rijasetit, profesorët e Medresesë dhe një numri të konsiderueshëm të ulemave Islam, mori pjesë në ceremoninë solemne të promovimit të hafizit të ri, Emir Lutfiu.
Programin e hapi moderatori, Hfz. Irfan ef. Sulejmani, i cili pasi shpalosi aktivitetin, ftoi para të pranishmive për fjalë rasti Muftiun e Shkupit, Dr. Qenan ef. Ismaili.
Në fjalën e tij Muftiu, Dr. Qenan ef. Ismaili, pasi përshëndeti të pranishmit, vlerësoi lartë punën e palodhur të muhafizit, Hfz. Abdulkerim ef. Ebibi, në nxjerjen e plejadave të reja të memorizimit të Kur’anit Famëlartë.
Fjala kryesore padyshim që i takoi kreut më të lartë të jetës fetare në vendin tonë, Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, i cili krejt në fillim falenderoi Allahun Fuqiplotë, dërgoi përshëndetje dhe bekime në drejtim të figurës së ndritshme të Pejgamberit a.s. dhe më pas përshëndeti të pranishmit.
Në fjalën e tij, Reisul Ulema theksoi se ndjehet tejet i lumtur që në këtë ditë të bekuar xhumaje gjendet pranë besimtarëve të Xhamisë së Dyqanxhikut, me rastin e promovimit të hafizit të ri Emir Lutfiu.
Kur’ani është mrekullia më e madhe që Zoti i Plotfuqishëm i ka dërguar njerëzimit, andaj edhe është zotuar se do ta ruajë atë mu ashtu sikur që është zbritur, përmes hafizëve të cilët janë në gjendje që ta recitojnë atë në ç’do moment duke mos lënë mangu as edhe një vokal të tijin.
Ska akademi në botë e cila ka mundësi të përgatit njerëz apo studijues që mund të bëjnë një gjë të tillë mbi ndonjë libër të ç’farëdo natyre tjetër. Ky ekskluzivitet padyshim që i takon vetëm akademisë së quajtur Hifz.
Jam shum i lumtur me punën dhe angazhimin e Muftiut Dr. Qenan ef. Ismaili i cili ka krijuar një sistem të mrekullueshëm të kultivimit të hifzit kualitativ në territorin e Muftinisë së Shkupit.
Të bëhesh hafiz në këtë kohë, duke sfiduar zhvillimet teknologjike dhe dinamikën e jetës, padyshim se është një sakrificë e madhe. Por, jam i sigurt se ky rezultat është arritur me përkushtimin e madh të muhafizit, Hfz. Abdulkerim ef. Ebibi, përkrahjes së pamohueshme të prindërve të hafiz Emirit si dhe mbështetjes së profesorëve të Medresesë.
Në fund e përgëzoj hafizin pë këtë arritje duke e lutur Zotin që ti jep shëndet dhe sukses në ruajtjen e Kur’anit të Madhërishëm.
Duanë e hifzit e bëri drejtori i përgjithshëm i SHMI Medreseja “Isa beu” – Shkup, Dr. Islam ef. Islami.
Ecurinë e hifzit të hafizit Emir Lutfiu e prezantoi kryetari i komisionit të hifzit, Hfz. Xhemail ef. Nuhiju, drejtor i institutit të hifzit “Ismail efendiu” – Shkup.
Në emër të familjes Lutfiu, të pranishmit i falenderoi për prezencën Hfz. Zija ef. Ismaili.
Në fund, hafizi i ri u pajis me certifikatë të hifzit si dhe pranoi dhurata të ndryshme nga ana e Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, muftiut Ismaili, drejtorit Islami si dhe nga këshilli i Xhamisë “Muslihuddin Abdulgani” – Duqanxhik.
Mirënjohje dhe dhurata simbolike pasuan edhe për muhafizin Abdulkerim ef. Ebibi.
Allahu ju bekoftë!