AKTUALE

SHBA/ Në New York përkujtohen viktimat e gjenocidit serb

Në një atmosferë solemniteti dhe reflektimi, Konsullata e Republikës së Kosovës në New York, nën drejtimin e Konsullit të Përgjithshëm, Ambasador Blerim Reka, organizoi një aktivitet përkujtimor për nder të viktimave të gjenocidit serb në Kosovë. Aktiviteti, organizuar në bashkëpunim me kryetarin e Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj, bashkoi figura të shquara të komunitetit shqiptar në SHBA, përfshirë shoqata patriotike, kulturore dhe aktivistë të dalluar.

Në fjalën e tij, Ambasador Reka theksoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të kujtesës historike dhe sensibilizimin e opinionit publik ndërkombëtar për krimet e rënda që ndodhën gjatë luftës në Kosovë. Mark Gjonaj, në fjalën e hapjes, bëri thirrje për më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës për të ekspozuar gjenocidin serb dhe për të siguruar drejtësi për viktimat.

“Çdo cep i Kosovës është larë në gjak dhe lot. Ne nuk do të harrojmë kurrë. Është detyrimi ynë moral të nderojmë viktimat, të mbështesim të mbijetuarit dhe të edukojmë botën, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos ndodhin më kurrë,” theksoi Gjonaj, duke përmendur shifrat tronditëse të mbi 13,950 të vrarëve, 20,000 të dhunuarve dhe 1,620 personave ende të zhdukur.

Sekretari i Federatës “Vatra”, Dr. Pashko Camaj, garantoi mbështetjen e diasporës shqiptare në SHBA për të vazhduar sensibilizimin e institucioneve amerikane mbi çështjen e krimeve të pa ndëshkuara në Kosovë. Ndërkohë, Valdet Çobaj propozoi idenë e krijimit të ekspozitave në muze prestigjioze ndërkombëtare për të dokumentuar krimet serbe.

Ngjarja përfshiu gjithashtu mesazhe të fuqishme nga aktivistë të tjerë si Moza Dajçi, Shaqir Gjokaj dhe Gjeneral Gani Shehu i Batalionit “Atlantiku”, të cilët bënë thirrje për forcimin e përpjekjeve për drejtësi dhe ruajtjen e kujtesës kombëtare.

Patrioti Valdet Çobaj diskutoi rreth idesë së ekspozimit të krimeve serbe në Kosovë në Muzeun e New York-ut, Londrës etj.
Aktivistja e komunitetit Moza Dajçi theksoi rëndësinë historike të zbardhjes së gjenocidit, ndërsa atdhetari Veri Talushllari vuri në dukje kontributin e kolegëve të tij në luftën për çlirimin e Kosovës dhe i preku pjesëmarrësit me recitimin e poezisë me motiv nga krimet e serbëve në Kosovë “Vërtitet një këmbë”.
Gjeneral Gani Shehu i Batalionit “Atlantiku” apeloi që të mos harrohet e kaluara e dhimbshme por edhe e lavdishme e shqiptarëve të Kosovës dhe apeloi prej të gjithë të pranishmëve që të bëjnë më shumë për ti treguar botës rreth krimeve monstruoze që Serbia bëri në Kosovë. Anëtari i kryesisë së Vatrës z.Ilir Cubi theksoi se zëri i shqiptarëve të Amerikës në demonstrata ndër vite ka sensibilizuar amerikanët dhe mbarë Perëndimin për çështjen e Kosovës.
Takimi përkujtimor u mbyll me shkëmbime idesh dhe diskutime mbi forcimin e komunitetit shqiptar në SHBA, si dhe me një premtim të përbashkët për të vazhduar angazhimin në shërbim të çështjes kombëtare.

Related posts

Një vit nga Dialogu Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së

admin

Analistët / Ndërkombëtarët, te Ali Ahmeti shohin faktor stabilizimi

admin

NDRYSHIME KADROVIKE NË DIBËR: Allajbegu, kryeshef i policisë kriminale

Gjyla Halili