AKTUALE

Bëhen 26 vjet nga Masakra e Reçakut

Kosova përkujton sot 26 vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë, shkruan KosovaPress.
Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se çdo t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Pas masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e kufomave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.
Me rastin e shënimit të ditës së përkujtimit dhe nderimit të viktimave të masakrës së Reçakut, dita e nesërme (e mërkurë), më 15 janar 2025 shpallet ditë pushimi në Komunën e Shtimes.

Në orën 08:30 do të mbahen homazhe nga niveli komunal në varrezat e Dëshmorëve në Shtime, Molloplc dhe Reçak.
Ndërsa, në orën 10:00 do të ketë homazhe nga krerët e shtetit në Kompleksin Memorial në Reçak.

Ndërkaq, Akademia Përkujtimore në orën 11:00, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Po ashtu në këtë ditë për shënimin e 26 vjetorit të masakrës së Reçakut, do të mbahet finalja e turnirit memorial “Ditët e Reçakut”, si dhe në orën 17:00, do të mbahet ekspozita tradicionale “Çmimi William Walker”, në Shtëpinë e Kulturës.

Related posts

Vatra nderoi luftëtarin e UÇK-së Hysni Kelmendin

Gjyla Halili

Një rekord i ri botëror është vendosur me procesorin e ri Core i9-14900 nga Intel, pamje që e dëshmojnë këtë

Gjyla Halili

Policia e Maqedonisë në aksion, gjoba për 740 shoferë për tejkalim të shpejtësisë

Gjyla Halili