Shkruan: Pr. Dr. Agim Nuhiu
Me vendimin e fundit të administratës amerikane për zgjerimin e sanksioneve ndaj individëve dhe institucioneve që kërcënojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut mbetet në fokus të këtyre masave, duke mbajtur nën optikën amerikane figura të larta politike dhe zyrtarë të lidhur me vendimmarrjen që pengon paqen dhe stabilitetin e vendit, përkatësisht rajonit!
Pra, rikthehet në vëmendje njohja dhe zbatimi i drejtë i normave të aplikueshme që kanë rezultuar nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 dhe Marrëveshja e Prespës e vitit 2018. Njohja dhe zbatimi i drejtë i normave të tilla, në fakt përveçse është një detyrim kushtetues për të gjithë institucionet e shtetit, është dhe një nevojë për shoqërinë dhe vetë paqen në rajon!
Ne vlerësojmë se mbetet ende shumë për t’u bërë në drejtim të njohjes dhe zbatimit të drejtë të marrëveshjeve ndërkombëtare. Pse e themi këtë? P.sh., gjatë procesit të hartimit të ligjeve të reja, plotësimit dhe ndryshimit të ligjeve ekzistuese është vërejtur se #Kuvendi nuk ka bërë një referim të mjaftueshëm tek fryma dhe “dispozitat e qëllimit” të Marrëveshjes së Ohrit. Pastaj, #Gjykata Kushtetuse ka ngjallur polarizim të madh për frymën dhe “dispozitat e qëllimit”, përkatësisht për vlerat e drejtësisë kushtetuese të recipuar nga Marrëveshja Kornizë të Ohrit. Veç kësaj, opinioni i gjërë e ka të njohur sjelljen e disa zyrtarëve të lartë të shtetit në lidhje me njohjen dhe zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Prespës dhe të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në përditshmërinë e tyre zyrtare!
Kuvendi, Gjykata Kushtetuese dhe përfaqësuesit e institucioneve të shtetit duhet të jenë të vetëdijshëm se aplikimi me kujdes dhe profesionalizëm i marrëveshjeve ndërkombëtare është në dobi të interesave kombëtare të vendit tonë dhe forcimit të imazhit të tij si partner i denjë në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare duke pasur parasysh gjithnjë objektivin strategjik për anëtarësim në Bashkimin Europian!
Edhe kësaj radhe u proklamuan qëndrimin e palëkundur për të kontribuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor!