AKTUALE

VATRA PROMOVOI VEPRËN E SHKRIMTARIT YLLJET ALIÇKA

Banner

Sokol Paja

New York, 4 Janar 2025 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e shkrimtarit dhe diplomatit z.Ylljet Aliçka “Parullat” dhe “Metamorfoza e një kryeqyteti”. Me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, diplomatëve, drejtuesve të shoqatave kryesore patriotike në New York e më gjërë, Federata “Vatra” si lideri i padiskutueshëm i veprimtarive patriotike e kulturore në mërgatën shqiptare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bashkoi shqiptarët në një festë kulturore dhe letrare që promovon vlerat atdhetare, kulturën e letërsinë më të mirë shqipe. Editori i Diellit në prezantimin e shkrimtarit Ylljet Aliçka para pjesëmarrësve u ndal te kontributi në letërsi, kinematografi, diplomaci dhe çmimet në arën ndërkombëtare si arritje personale por edhe kombëtare. Sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj uroi mirëseardhjen në emër të Federatës Vatra dhe vlerësoi personalitetin e shkrimtarit Ylljet Aliçkaj në diplomaci dhe letrat shqipe. Editorja e gjuhës angleze në gazetën Dielli Rafaela Prifti u shpreh në analizën e saj se vëllimi me tregime “Parullat” është letërsi artistike por aty ka ngjarje të një realiteti të përjetuar. Çështja është se e tashmja jone nuk është shumë larg atij realiteti. Prandaj sot mund te pyesim: A jemi më afër të kuptuarit të vetes kur kemi në duar “Parullat në gur”? Dr. Ardiana Mici pedagoge në Universitetin “Fan Noli” në Korçë, analizoi veprën “Metamorfoza e një kryeqyteti” të shkrimtarit Ylljet Aliçkaj. Dr. Mici u shpreh se Me romanin “Metamorfoza e një kryeqyteti”, Ylljet Aliçka vjen si një autor i afirmuar tashmë për mendimin e tij të mprehtë dhe provokues në veprat e mëparshme. “Metamorfoza e një kryeqyteti” është një roman që shpalos gradualisht transformimet që përjeton kryeqyteti shqiptar në kushtet e ndryshimeve të thella politike, ekonomike, sociale dhe kulturore në periudhën kalimtare nga sistemi komunist drejt pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut. Edhe pse romani titullohet “Metamorfoza e një kryeqyteti”, në thelb ai fokusohet tek transformimet që pëson mënyra e jetesës dhe njerëzit e tij më shumë sesa tek ndryshimet që pëson peizazhi urban, ndonëse edhe këto nuk janë të pakta. Narrativa e romanit gërsheton mjeshtërisht historitë personale me ndryshimet e forta politike, shoqërore dhe ekonomike që ndodhnin në vend gjatë sistemit komunist, degradimit dhe rënies së tij. Duke zgjedhur pikërisht këtë sfond historik shkrimtari e ndërton romanin përmes përjetimeve të personazheve, përplasjes së brendshme të ndjenjave dhe mendimeve të tyre në përpjekje për të bërë zgjedhjen e duhur për ti mbijetuar diktaturës apo për të zgjidhur dilemat e mëdha në lidhje me identitetin dhe përkatësinë shoqërore dhe politike në momentet e ndryshimit.

Shkrimtari z.Ylljet Aliçka në fjalën e tij shprehu mirënjohje dhe falënderim për Vatrën e mërgatën shqiptare në New York për mikpritjen. Z. Aliçka theksoi se gjatë kohës së komunizmit teksa dëgjonte fshehurazi radion “Zëri i Amerikës” ishte njohur me aktivitet e Vatrës. “Vatra është qëndër shumë e rëndësishme emblematike, historike dhe patriotike” u shpreh shkrimtari Aliçka. Para të pranishmëve diplomati e shkrimtari Aliçka përgjatë bashkëbisedimit me të pranishmit prezantoi 6 veprat e tij në prozë dhe përkthimet ndërkombëtare, diskutoi rreth krizës së leximit në ditën e sotme, rëndësinë e përkthimit të veprave letrare në gjuhët e veçanta, situatën politike e shoqërore në Shqipëri, letërsinë shqipe si peisazh në raport me letërsinë ndërkombëtare, diversitetin kulturor, edukimin dhe integrimin e fëmijëve shqiptarë në kulturën dhe shoqërinë amerikane. Ky takim i ngrohtë dhe shumë i rëndësishëm kulturor e letrar te Vatra ngroh dhe fton shqiptarët drejtë komunitetit, aktiviteteve kulturore dhe librit si rrugë drejtë lirisë dhe zhvillimit.

Banner

Related posts

Prokuroria ngrit akuzë kundër Ramiz Merkos

Gjyla Halili

Përfaqësues të Universitetit të Tetovës realizuan vizita në universitetet e Suedisë dhe Sllovenisë

Gjyla Halili

Rijad Shaqiri: Të thuash se ka pas rom në UCK është fyerja ndaj kauzes, sakrificës fyerje ndaj dëshmorëve, invalideve të luftës e ish ushtarëve

Gjyla Halili