Mbrëmë, më 02.01.2024, u mbajt një mbrëmje madhështore Kur’anore për të shënuar hyrjen në tre muajt e shenjtë: Rexheb, Shaban dhe Ramazan, organizuar nga Bashkësia Fetare Islame në bashkëpunim me Myftininë e Tetovës.
Kjo ngjarje e veçantë u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë shpirtërore, duke mbledhur së bashku besimtarë dhe personalitete të shquara.
Manifestimi u nderua nga prania e figurave të larta të Bashkësisë Fetare Islame (BFI):
-Reisul Ulema H.Hfz.Shaqir ef. Fetahu, Kryetari i BFI-së.
-Dr.Hfz. Selver ef. Xhemaili, Myftiu i Tetovës.
-Mr.Nasir ef. Rexhepi, Myftiu i Maqedonisë Lindore, si dhe:
-Z.Mustafa Bodur, Atashehu për çështje fetare pranë Ambasadës Turke.
Gjithashtu, morën pjesë drejtorë dhe stafi i përgjithshëm i Rijasetit dhe i Myftinisë, profesorë të Medresesë dhe institucioneve të tjera, hoxhallarë të BFI-së, si dhe qytetarë të shumtë nga Tetova dhe rrethinat e saj.
Interpretuesit e shquar të Kur’anit:
Mbrëmja u zbukurua me lexime madhështore të Kur’anit nga interpretues me renome botërore:
– Hafiz Erhan Mete, lexues i njohur ardhur enkas nga Turqia.
– Xhelal Kaloshi, imami dhe lexuesi i famshëm shqiptar që vepron në Ingolstad të Gjermanisë.
– Hafiz Idris ef. Osmani, hafizi i njohur nga Tetova, Maqedonia e Veriut.
Zërat e tyre melankolik dhe interpretimi i thellë i ajeteve Kura’nore krijuan një atmosferë të paharrueshme shpirtërore, duke prekur zemrat e të gjithë të pranishmëve.
Mesazhe urimi dhe shprese:
Kryetari i BFI-së dhe Myftiu i përshëndetën të pranishmit me fjalë të ngrohta, duke u uruar hyrjen në muajt e shenjtë. Ata shprehën shpresën dhe lutjen e tyre që Ramazanin ta presin dhe ta kalojnë të gjithë shëndoshë e mirë, duke theksuar rëndësinë e këtyre muajve për forcimin e besimit dhe vlerave morale. Kjo mbrëmje Kur’anore shërbeu jo vetëm si një manifestim i hyrjes në muajt e shenjtë, por edhe si një moment i çmuar për të forcuar lidhjet vëllazërore dhe për të rifreskuar shpirtrat me mesazhet e përjetshme të Kur’anit fisnik. Të pranishmit u larguan me zemra të mbushura me dritën e fjalës hyjnore për ditët që vijnë.