AKTUALE

Skandal ose jo? Drejtoresha Pranvera Izairi do t’i përgjojë pacientët pa i informuar? Kërcënon me demante, por s’mohon që në tender kërkohen kamera me mikrofon

Drejtoria e Spitalit Gjinekologjik të Çairit ka hapur tender për vendosjen e kamerave të sigurisë, e ku në specifikime qartë shihet se kërkohen kamera që e incizojnë edhe zërin, por udhëheqësia e spitalit mohon që do të regjistrohet audioja.

Pasi nuk gjeti kohë të flasë para kamerës, ndonëse e pritëm disa ditë, por përmes sekretares u mjaftua duke na dërguar një përgjigje me shkrim ku shkruhet se kamerat në spitalin „Nënë Tereza“ nuk incizojnë zërin, drejtoresha e këtij spitali, Pranvera Izairi, përmes demanteve përpiqet të kërcënojë se nuk është raportuar siç duhet, ndonëse nuk e përmend se në tender shkruhet specifikimi se kamerat do të jenë edhe me audio incizim.
Ja çfarë shkruhej në përgjigjen e spitalit më 25 dhjetor.
Spitali i specializuar për gjinekologji „Nënë Tereza“ – Çair në periudhën e kaluar ka bërë mirëmbajtjen e rregullt të sistemit të kamerave ekzistuese dhe të reja në hapësirat e spitalit, siç është parashikuar edhe me rregullativën për mbrojtje të sigurisë së pacientëve dhe stafit medicinal, pa ndërhyrë në privatësinë e tyre. E njëjta është obligim i spitalit. Pra lidhur me pyetjen tuaj, nuk janë bërë instalime të kamerave në sallat e lindjes dhe kamerat në spitalin „Nënë Tereza“ nuk incizojnë zërin”, thonë nga Spitali i Specializuar për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nënë Tereza”.
(Përgjigja e dërguar më 25 dhjetor 2024)

Kjo përgjigje është cituar në kronikën e transmetuar po në këtë datë. Në demantin e sotëm, 27 dhjetor, nga spitali ripërsërisin se kamerat nuk do të përdoren për audio incizim, por sërish nuk ka një sqarim se pse atëherë në tender shkruhet që kamerat duhet të kenë të integruar edhe mikrofon.
Ajo që tani spitali „Nënë Tereza” po bën është, në komunikim me Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale po e rregullon përdorimin e të njëjtave me elaborat, për çka kemi dërguar kërkesë. Ky ka qenë obligim që në fillim kur janë instaluar kamerat vite më parë, por e njëjta nuk është bërë dhe për këtë ju udhëzoj të drejtoheni te udhëheqësia paraprake. Poashtu, në ndërkohë paralelisht po shtojmë numrin e kamerave në hapësirat e lejuara, në funksion të rritjes së nivelit të sigurisë së pacientëve dhe stafit të spitalit dhe të njëjtat nuk do të përdoren për audio incizim”, thonë nga Spitali i Specializuar për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nënë Tereza”.
(Demant i dërguar më 27 dhjetor 2024)

Për atë se a lejohet që kamerat e sigurisë të kenë edhe mundësi të incizojnë edhe me zë, pyetëm juristët. Ata citojnë ligjet përkatëse duke treguar se incizimi me zë është i ndaluar në hapësirat publike dhe video incizimet me kamera janë të specifikuara cilat hapësira lejohen të vendosen për siguri.

“Kamerat e sigurisë po vendosen edhe nëpër bulevarde, megjithatë në objektet publike nuk lejohet të incizohet me audio-zë, por vetëm me video. Nëse dikush e bënë atë, kjo bie në procedurë joligjore, kjo nënkupton një lloj përgjimi dhe shkelje e privatësisë së një individi apo një grupi të punësuar. Kjo është plotësisht kundër Ligjit për mbrojtje të privatësisë dhe Ligjit për mbrojtje të të dhënave personale”, u shpreh Marija Mitevska – avokate.

Përveç krejt këtyre, TV21 mori vesh nga burime të tij se një ditë pasi është transmetuar kronika, drejtoresha Pranvera Izairi, ka qortuar stafin se si është lejuar ekipi i gazetarëve të futet në hapësirat e spitalit. Kujtojmë se spitali është publik, ndërsa ekipi i TV21 në pamjet e incizuara në asnjë moment nuk ka cenuar privatësinë e pacientëve por ka incizuar vetëm në hapësirat administrative ku parashihej vendosja e kamerave të reja.

Related posts

Menduh Thaçi organizoi iftar për strukturat e PDSH, prezent edhe kandidati për president Bujar Osmani

Gjyla Halili

BDI: Bujar Osmani kandidati i parë zyrtar për President me mbi 10.000 nënshkrime

Gjyla Halili

Mentor Latifi emërohet ambasador i Kosovës në Zvicër

Gjyla Halili