Kaloi afati prej 6 muajve të cilin e kishte dhënë koalicioni VLEN për ndryshimet kushtetuese, e të cilat nuk u bënë. Arben Fetai nga VLEN kërkoi edhe pak hapësirë, sepse siç tha liderët e VLEN-it shumë shpejt do të vendosin se çka më tutje.
Ne jemi në 6 muajt e parë të qeverisjes dhe sinjali që dha dje doktori Arben Taravari ishte i qartë – do të ulemi do t’i shohim. Ju lusim për durim deri pas Vitit të Ri, kur besoj kryetarët do të definojnë se çka bëjmë më tutje. Jemi vetëm 6 muaj në Qeverisje na lini pak hapësirë, të veprojmë dhe t’i definojmë veprimet strategjike marrë parasysh rrethanat në të cilat jemi tani”, tha zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë Arben Fetai.
Mbrëmë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti i bëri thirrje VLEN-it që të mos bëhen argatë dhe hyzmeqarë, por të reflektojnë dhe t’i kthehen rrugës së dinjitetit.
“Përfaqësuesit, drejtuesit që janë në VLEN të kthehen në rrugë të dinjitetit dhe ta mbrojmë të gjithë bashkë krenarinë. Ne nuk duam përplasje por ama nuk mund të heshtim pa e thënë të vërtetën. VMRO ka traditë për të rekrutuar hyzmeqar e argatë”, deklaroi kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.
Fetai në përgjigje ndaj kësaj, tha se Ahmeti po flet nga përvoja e tij personale.
“Z. Ahmeti flet nga përvoja e tij personale, si hyzmeqarë i Gruevskit dhe Mijallkovit gjë që u faktua edhe me lëvizjet që i kanë bërë. Ndryshimi i kodit penal u bë për ta kthyer Gruevskin në vend, patronin e z.Ahmeti dhe futjen në listën e zezë amerikane të Artan Grubit bashke me gjyqtarin e Mijallkovit, Bexhetin, u bë për shkak të Mijallkovit”, u shpreh Arben Fetai – zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.
Fetai në fund tha se VLEN në bazë javore mbanë koordinim brenda koalicionit dhe javën e ardhshme do të diskutohet çështja e ndryshimeve kushtetuese dhe skadimi i afatit 6 mujor, pa rezultat.