Ilire Dauti, deputetja e “Frontit Evropian” dhe kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini sot në deklaratë për mediat theksoi se interpelancën e dorëzuar për të nga deputetët e “Së Majtës” nuk e sheh si personale kundër saj, por, siç tha, si një luftë kundër personave që luftojnë për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.
Duhet të jemi të preokupuar me interpelancën, pasi diçka e tillë më parë asnjëherë nuk ka ndodhur. Mendoj se kjo nuk do të jetë e drejtë për demokracinë, për njerëzit të cilët kërkojnë barazi për të gjithë qytetarët. Interpelancën nuk e shoh si personale kundër meje, por, si një luftë kundër njerëzve të cilët po luftojnë për trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, në këtë rast edhe kundër palës tjetër, ish ushtarakëve të UÇK-së, që morën pjesë në konfliktin ushtarak në vitin 2001”, tha ajo.
Dauti potencoi se deri tani ka punuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
“Është e rëndësishme që gjatë gjithë punës sime kam punuar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit dhe këtë e kam bërë edhe sot. Nëse unë pranoj propozime, afatet e të cilave tashmë kanë kaluar, atëherë do të shkoja kundër Rregullores së Kuvendit”, tha deputetja Dauti.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi të hënën filloi me shqyrtimin e interpelancës ndaj kryetares së Komisionit parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, të paraqitur nga deputetët e “Së Majtës”. Nga Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës, kërkuan menjëherë që ai të tërhiqet urgjentisht nga shqyrtimi i interpelancës.
Nga Kabineti i Gashit potencuan atëherë se ai nuk ka të drejtë diskrecionale që t’i bllokojë interpelancat – ai është i obliguar t’i përcjellë në procedurë të mëtutjeshme, siç ndodhi para disa muajsh kur kundër tij personalisht ishte iniciuar interpelanca.
“Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi siguron opinionin publik se të gjitha procedurat parlamentare zhvillohen në përputhje të plotë me Rregulloren e Punës, Kushtetutën dhe ligjet. Interpelanca kundër znj. Ilire Dauti është një nga pesë interpelancat që janë në vazhdim, së bashku me ato kundër ministrit Mexhiti, zëvendësministrit Iseni, ministrit Toshkovski dhe ministrit Stoilkoviq. Është me rëndësi të theksohet se, sipas procedurave parlamentare, rezultati i interpelancës nuk do të ndikojë në pozitën e znj Dauti, si kryetare e Komisionit që ajo drejton”, theksohet në reagimin e Kabinetit të Gashit.
Nga Aleanca për Shqiptarët e Selës më pas përmes një kumtese potencuan se koalicioni jolegjitim VLEN dhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi kanë bashkuar forcat me “Të Majtën” kundër kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Ilire Dauti, për të zhbllokuar ligjin për “branitellat”.