Himni është këngë solemne që i kushtohet atdheut dhe mbahet si simbol i njësisë së kombit e të shtetit. Prandaj, secili qytetarë e ndjen atë himn teksti i të cilit përshkruan lidhshmërinë me të kaluarën, ngjallë ndjenjën e guximit dhe të krenarisë. Sëfundmi është rikthyer kjo temë pasi partia në pushtet VMRO-DPMNE ka sjellë vendim të intonohet himni maqedonas. Megjithatë, himni maqedonas mund të intonohet nuk i pengon askujt për asgjë, por paralelisht me atë duhet gjithsesi të intonohet edhe himni shqiptarë në shkollat shqipe, shkruan Zhurnal.
Riaktualizohet tema e himnit sërish –
Ministria e Arsimit e udhëhequr nga, Vesna Janevska, kohëve të fundit ka lëshuar deklarata paushallë që nuk i shërbejnë aspak qetësisë dhe stabilitetit në vend. Nga deklaratat katastrofale që UÇK nuk përbën asgjë në historinë e këtij vendi, deri në vendimin për intonimin e himnit maqedonas në shkollat e vendit.
Pra, kujtojmë që Ministria e Arsimit ka dorëzuar në Kuvend propozim ligj që obligon nxënësit e shkollave të mesme në vendin tonë që në fillim dhe në fund të vitit shkollorë ta intonojnë himnin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Për Ministren e Arsimit dhe Shkencës që vjen nga VMRO-DPMNE-ja Vesna Janevska të gjithë që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet duhet t’i respektojmë simbolet kombëtare të këtij shteti.
“Ne si përfaqësues të një shteti jemi krenarë me simbolet tona kombëtare me himnin, flamurin dhe stemën. Të gjithë që e ndjejnë këtë shtet si të vetin dhe të gjithë që kanë synime të punojnë për ardhmërinë e këtij shteti duhet t’i respektojnë simbolet e shtetit”, tha Vesna Janevska.
Himni si temë është hapur e rihapur shumë herë më parë, hiç më larg se në korrik të këtij viti këshilltari i BDI-së në Veles voton “pro” himnit maqedonas në shkolla. Këshilltari i vetëm i BDI-së në Komunën e Velesit, Nevzat Muaremovski ka votuar “për” intonimin e obligueshëm të himnit maqedonas në të gjitha shkollat fillore në Veles. Në votimin e propozimit që dëshmohet dhe përmes video incizimit, Muaremovski voton “për”.
Në çdo shkollë shqipe duhet të intonohet himni shqiptarë dhe jo vetëm në komunat me shumicë shqiptare –
Kujtojmë që, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilalli Kasami, vitin e kaluar kur ishte hapur kjo temë atëkohë nga opozita maqedonase VMRO që sot janë pjesë e pushtetit, Kasami pati theksuar se nëse intonohet himni maqedonas nëpër shkolla do të duhet respektohet edhe shumica shqiptare dhe të intonohet edhe ai shqiptar.
“Në këtë rast nëse do të bëhet ndonjë vendim ligjërisht për t’u intonuar himni i shtetit sigurisht që duke respektuar shumicën e qytetarëve që janë të etnitetit shqiptarë do të duhet të intonohet edhe himni shqiptar”, pati deklaruar Kasami.
Ai gjithashtu tha se himni i shtetit nuk reflekton realitetin multietnik dhe të shoqërisë në Maqedoninë e Veriut prandaj edhe nuk mund të intonohet në komunat me shumicë shqiptare.
“Përderisa është ky realitet…kjo nënkupton ose duhet të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik ose nëse miratohet vendim që kështu si është të intonohet atëherë duhet të respektohet përkatësia multietnike e shtetit dhe shoqërisë dhe në vendet, në komunat apo në lokalitetet me shumicë shqiptare, si komunitet i dytë shumicë duhet të intonohet edhe himni shqiptarë”, pati përfunduar Bilall Kasami, nga Lëvizja Besa.
Tani mbetet të shihet nëse liderët e VLEN e posaçërisht Bilall Kasami do të qëndroj konzistentë ndaj asaj që ka deklaruar në kohën kur ishte opozitë. Aktualisht, Lëvizja Besa bashkë me partitë tjera që dikur ishin opoizitë janë pjesë e pushtetit kanë pozicione të mira dhe me ndikim dhe këtë ndikim duhet ta zhvendosin në praktikë për t’i bindur qytetarët e vendit që VLEN nuk reteron nga qëndrimet e mbi të gjitha janë zëri shqiptarë në Qeveri.
Megjithatë, një gjë duhet të sqarohet se nëse çështja e himnit bëhet zyrtare në të gjithë shtetin, himni shqiptarë duhet të intonohet në secilën shkollë shqipe, dhe jo vetëm në komunat me shumicë shqiptare. Pasi ka komuna të shumta në të cilat shqiptarët nuk janë shumicë por që ka numër të madh të shkollave shqipe për të plotësuar nevojat e shqiptarëve dhe në këtë kontekst gjithkund ku mësohet shqip duhet të intonohet himni shqiptarë. /Zhurnal.mk