Opinion: Top-shqip.mk
Ali Ahmeti, lideri i pakontestueshëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe partia e BDI-së, përjetuan goditje në imazh, në imazhin më të ndjeshëm, imazhin publik. Opinioni u trondit nga “Lista e Zezë”, ku u ndodhën dy shqiptarë. Njëri, ishte një nga kreatorët e politikave të partisë më të madhe shqiptare në RMV.
BDI në radhët e veta ka profile të ndryshme, si subjekti më i madh politik në RMV, me shtrirjen dhe gjithëpërfshirjen. Në gjirin e saj, militojnë shumë kuadra, ndërsa Ali Ahmeti, është lideri i cili në historinë e re politike, nuk kishte pësuar asnjë lajthitje në vizion, as në mision, në qëllimet e as në rrugën e zgjedhur.
Ali Ahmeti nuk mund të goditet nga papërgjegjësia e individëve brenda subjektit më të madh politik shqiptar në RMV si BDI-ja. Të gjithë duhet të jenë njëzëri për të mbrojtur vlerat e ndërtuara me mund, të Ali Ahmetit me shokë, nga vitet ‘80 e këndej, me angazhim madhor të rrallë në historinë tonë të re.
Në epokën e Ali Ahmetit, shqiptarët pësuan përparime të cilat kurrë më parë nuk i patën, dhe asnjë goditje tek individët e BDI-së, nuk mund ta zbehin profilin e tij dhe të BDI-së. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka dëshmuar në mënyrë të shkëlqyer madhështinë e tij, me vendime prej burrështetasi, duke vendosur interesin politik shqiptar në krye të agjendave në Ballkan, i cili ngriti në mënyrë shembullore interesin nacional e bëri agjendë të miqve strategjikë.
Ali Ahmeti i sakrificave si asnjë lider tjetër në politikën aktuale, e përjetoi humbjen e shokëve e bashkëluftëtarëve në vijat e frontit, në Kosovë, Luginën e Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut. Atë nuk e thyen as vdekja e Afrimit, Bahriut, Luanit, Fehmiut, Xhevës dhe dhjetëra shokë të idealit të cilët ranë në fushën e nderit.
Kjo goditje pritet atë ta forcojë. Atij i mbetet detyrë për të ngritur kriteret për të gjithë ata që ia mësyjnë politikës dhe për t’i pri partisë shqiptare lider në qiellin e Maqedonisë së Veriut. Në veçanti, duhet të mësohet mësimi nga Ali Ahmeti për vlerat euro-atlantike dhe rëndësinë e Amerikës për shqiptarët.
Ali Ahmeti, si lider i pakontestueshëm shqiptar në Maqedoninë e Veriut, dihet se nuk i harron miqtë e as armiqtë e tij. Këtë situatë, do ta përballojë, lehtas një lider si Abaz Gjuka, në krye të detyrave për ta promovuar dhe fuqizuar faktorin shqiptar në RMV dhe më gjerë, pavarësisht individëve që mund të bien pre e rrethanave që megjithatë pritet të sqarohen.
Ali Ahmeti ka tejkaluar furtuna më të mëdha, në kohë më të vështira dhe ka dalë fitimtar, edhe kësaj radhe do t’ia dalë!