Muajt e fundit ka një ndarje më të madhe mes bashkësive etnike në vend. Qytetarët mes veti nuk kanë problem, nxitës të përçarjeve janë politika dhe institucionet ndaj të cilave ata kanë mosbesim për shkak të selektivitetit, vlerëson Kreshnik Bekteshi nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).
Koalicioni “Fronti Evropian” i udhëhequr nga BDI ka dorëzuar në Kuvend interpelanca për punën e ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, zëvendësit të tij Astrit Iseni dhe zëvendëskryeministrave Izet Mexhiti dhe Ivan Stoilkoviq për shkak se marrëdhëniet ndëretnike dhe kohezioni janë të paqëndrueshme, ndërsa MPB sipas Bekteshit ka dështuar në Ditën e flamurit shqiptar për shkak se qytetarëve nuk u është lejuar të festojnë në sheshet në mbarë vendin. Sjelljen e personave të arrestuar nga policia ai i quajti akte individuale.
“Ne njoftuam se dënojmë një sjellje të tillë dhe aty duhet të zbatohen ligjet e vendit. Por nuk ka zbatim të ligjeve në shtet, ndërsa ka për disa adoleshente… BDI nuk nxit destabilizim, por gjithmonë bëjmë thirrje për qetësi dhe mosrrezikim të marrëdhënieve ndëretnike. Nëse këto janë argumentet e z. Toshkovski, është mirë që të vijë në Kuvend dhe të përballet dhe të tregojë argumentet e tij. Por është e kundërta. Mund të ketë akte individuale në të gjitha vendet e botës dhe ndoshta atje Toshkovski ka të drejtë… por a janë marrë masa ndaj atyre që përfaqësojnë shtetin dhe institucionet… siç është policia në Republikën e Maqedonisë”, tha Bekteshi në intervistën për televizionin Sitel.
Në pyetjen se çfarë përfiton BDI me katër interpelancat, sepse nuk do të kenë përkrahje nga LSDM-ja opozitare, Bekteshi është përgjigjur se “do të fitojnë qytetarët” sepse do të shohin argumentet me të cilat përballen katër anëtarët e qeverisë që “vetëm japin deklarata, ndërsa ikin nga debatet me opozitën dhe opinionin”.
I pyetur se kush e ka nxitur arsimtaren për festimin në shkollën në fshatin Çellopek, ai është përgjigjur se komuna e Bërvenicës nuk drejtohet nga BDI, por nga VMRO-DPMNE.
“UÇK është pjesë e vendit tonë, formuar nga qytetarë të Republikës së Maqedonisë të cilët u mbrojtën dhe kërkuan të drejta në këtë vend. Simbolet që janë të rëndësishme për një bashkësi etnike, duhet të respektohen nga bashkësia tjetër etnike”, tha Bekteshi.
Lidhur me Gjykatën Kushtetuese e cila këtë muaj duhet të shqyrtojë kushtetutshmërinë e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ai tha se “nuk vendoset me konsensus” dhe se ushtrohet “presion nga disa parti politike” që iniciativat e tilla i dërguan në gjykatë, derisa ishin në opozitë dhe i përfshinë në programet e tyre parazgjedhore.