Shkruan: Besiana Memedi
Dy fjalë zemre dhe disa momente nga opera “Goca e Kaçanikut” e cila shënoi histori në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë me 25 nëntor!
Në këtë skenë ku u ngjita për herë të parë në vitin 2004, kur realizoja një ëndërr timen dhe babait tim Qaniut, u riktheva sërish me të njejtin emocion por me tjetër bagazh dhe me krenari të jashtëzakonshme sepse e quaj privilegj besimin e rolit të Plakës ( nënës shqiptare) në rikthimin e operës “Goca e Kaçanikut” plot 45 vite pas vënjes së parë të kësaj opere në Tiranë!
Urimet më të përzemërta për Meriton Ferizi drejtorin e Operës së Kosovës, mjeshtrin e madh-regjisorin Nikolin Gurakuqi, dirigjentin Edon Ramadani, gjithë kolegët- artistë karriere dhe të rinjë me ardhmëri fantastike!
Kjo paraqitje dhe ky rol mori vlerë e kuptim të veçantë kur profesori akademik Rauf Dhomi – kompozitor i kësaj kryevepre ka ndarë fjalët më të përzemërta e vlerësuese për realizimin e rolit të Plakës. Përgëzimet e tij të sinqerta dhe vlerësimi tejet profesional e i rrallë, mbeten vlera dhe emocioni më i madh që mund të më falte kjo performancë!
( këtë sukses ia dedikoj babait tim i cili përtej largësive vazhdon të jetë busulla ime jetësore ndërkaq ndjej obligim të falenderoj studentët e mi që janë motiv dhe shtysë për shumë suksese, nënën time e cila gjatë gjithë këtyre muajve të ngjeshur angazhimesh kujdeset për Uskanën tonë si dhe të shpreh mirënjohje të thellë për Shkodran Tolaj i cili është shtylla dhe mbështetësi më i madh në çdo rrugëtim timin artistik e jetësor)