AKTUALE

BFI NË MANASTIR ORGANIZOI TRIBUNË SHKENCORE ME RASTIN E DITËS SË ALFABETIT

Sot 21.11.2024 Muftinia e BFI-së Manastir, me mbështetjen e Bashkësisë Fetare Islame dhe patronazhin e Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai, në Manastirin e alfabetit, me rastin e ditës së alfabetit organizoi tribunë shkencore me titull: “Kontributi i ulemave në konstituimin e alfabetit”. Të pranishëm në këtë tribunë ishin pjesa më e madhe e muftive të Muftinive të BFI-së në RMV, përfaqësues lokal të partive politike, drejtori i Muzeut të alfabetit, z. Munir Asllani, përfaqësuesi i konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Manastir, z. Naim Alili, përfaqësues të shoqatave të ndryshme kulturore, arsimtarë dhe veteranë të arsimit shqip në Manastir. Panelistë në këtë tribunë ishin, prof. dr. Fehari Ramadani, profesor në Universitetin e Tetovës, me temë: “Kongresi i Manastirit dhe rëndësia historike e tij” dhe prof. dr. Ziberi Lata, profesor në Fakultetin e shkencave islame me temë: “Kontributi i ulemave për alfabetin e gjuhës shqipe”.
Fjalë përshëndetëse dhe hapjen e tribunës e bëri muftiu i Manastirit, H. Amit Ef. Rasimi i kcili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi BFI-në dhe Reisul Ulema për mbështetjen dhe kujdesin që kanë treguar që në Manastir, qytetin e alfabetit të organizohet një tribunë e këtillë e cila thekson rëndësinë e Manastirit si një qytet me rëndësi të veçantë fetare, kombëtare dhe historike për shqiptarët. Muftiu, Rasimi tha se ne jemi këtu për të lënë gjurmët tona, dhe falënderoi shumë praninë e mësuesve të shkollave shqipe në Manastir, duke i ftuar ata që bashkërisht me Muftininë e cila është e gatshme në çdo kohë dhe formë të ndihmojë në çdo aspekt, sa i takon ruajtjes së elementit shqiptarë në Manastir. Të ruajmë atë që kemi, hisen tonë në qytetin e alfabetit, të ruajmë numrin e nxënësve shqiptarë dhe shkollat shqipe dhe në këtë e keni përkrahjen time të parezervë, përfundoi fjalën e tij, muftiu H. Amit Ef. Rasimi.
Më pas, fjalë rasti pati edhe Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai. “Është kënaqësi të jesh në Manastir, një nga kryeqendrat dhe vilajetet e Perandorisë Osmane. Manastirit ju dha një dhuratë e madhe që të jetë vendi ku do tubohen kolosët shqiptare për të vendosur bazën e unitetit kombëtar dhe të shtrojnë rrugën e kombit tonë në këtë nënqiell. Këtu u dha koncepti se besimet janë zgjedhje të individëve, por kombi është diçka që se kemi zgjedhur ne, por i madhi Zot na e ka dhënë këtë në shpirt e trup. Kombi dhe gjuha Janë dy dhurata nga Zoti i Madhërishëm që i ka dhënë njeriut dhe duhet të ruhen si sytë e ballit. Këtu u dha koncepti se njeriu fillet i ka nga një nënë e baba dhe ne këtë duhet ta respektojmë, të respektojmë të gjithë pavarësisht dallimeve që mund të ekzistojnë. Këtu u tubuan kolosët tanë sepse e kuptuan më mirë se çdokush tjetër, dhe vendosën për hir të Zotit të konstituojnë formatin dhe shtyllën kyçe të popullit, alfabetin përmes të cilit do të zhvillohet kombi, dija dhe zhvillimi pozitiv. Ulematë kishin vetëdije të lartë. Këtu ishin Hafiz Ali Korça, Ibrahim Dalliu dhe shumë të tjerë që dhanë besën se uniteti i të gjithëve pavarësisht fenë është ajo që na ruan. Ibrahim Dalliu përqafoi atë Gjergj Fishtën për të dëshmuar vëllazërinë dhe unitetin e popullit shqiptarë. Ruajtja e gjuhës është ajo që ruan trungun kombëtarë. Ne si BFI në postulatin tonë kemi mishërimin e kombit dhe fesë. Nëse asgjësohet njëri nga këto elemente prishet trungu kombëtarë. Një postulat tjetër i BFI-së është që të jetë në shërbim të fesë popullit dhe vatanit. Përshëndes këtë panel shkencor sepse me këtë tregojmë se nuk i harrojmë këto postulate për ruajtjen e vlerave tona fetare dhe kombëtare. Të tregojmë se jemi zemërgjerë sepse shqiptarët e Manastirit pa asnjë kompleks tregojnë se mund të jetojmë më popujt tjerë pa asnjë problem. Urime dhe Zoti ju bekoftë, tha mes tjerash Reisul Ulema, H. Hfz. Shaqir Ef. Fetai.

Related posts

Për herë të parë një shqiptar emërohet drejtor në Klinikën e Pediatrisë

Gjyla Halili

Gashi: Ky shtet do të bëhet i drejtë

Gjyla Halili

Grubi: BDI dëshiron vetting nga i pari deri tek i fundit

admin