Me rastin e festave, për Alfabetin dhe festat e Nëntorit, kryetari i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari ka falënderuar personelin arsimor dhe nxënësit të cilët manifestojnë dashuri për gjuhën dhe kulturën tonë.
“Ndjehem jashtëzakonisht krenar dhe i nderuar nga përkushtimi i shkollave tona, që sot dhe nesër vazhdojnë me programe dhe aktivitete kulturore për të festuar dhe nderuar këtë ditë kaq të rëndësishme për historinë tonë kombëtare”, ka shkruar Dehari.
Postimi i tij i plotë:
I emocionuar dhe thellësisht i prekur nga mikpritja e ngrohtë e nxënësve të shkollës së qytetit me rastin e festave të nëntorit, e veçanërisht për nder të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Faleminderit nga zemra drejtorit të përkushtuar Bekim Jusufi, stafit arsimor dhe nxënësve të mrekullueshëm që me punën dhe kreativitetin e tyre e bënë këtë ditë të veçantë edhe më domethënëse. Një falënderim i veçantë shkon edhe për nxënësit e shkollës “Gjergj Kastrioti” në fshatin Zhubrinë, përzemërsisht drejtoreshës së respektuar Shkëlqime, mësueses Hava,mësuesve dhe nxënësve të talentuar që dhanë shpirt dhe pasion në çdo detaj të aktivitetit.
Ndjehem jashtëzakonisht krenar dhe i nderuar nga përkushtimi i shkollave tona, që sot dhe nesër vazhdojnë me programe dhe aktivitete kulturore për të festuar dhe nderuar këtë ditë kaq të rëndësishme për historinë tonë kombëtare.
Ju ftoj që nesër, në Pallatin e Kulturës, të bëhemi së bashku pjesë e këtyre aktiviteteve, ku nxënësit tanë do të na mahnisin sërish me talentin dhe dashurinë e tyre për gjuhën dhe kulturën tonë të vyer.