Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi ka publikuar në faqen e tij në Facebook Ligjin e Gjuhëve, si dëshmi që gjuha shqipë është zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Ademi ndër të tjera e quan idealit kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, pasi siç thotë ai ka punuar gjithmonë në të mirë të shqiptarëve, duke numëruar dhe disa të arritura të shqiptarëve nën udhëheqjen e Ahmetit.
Ademi shton se tashmë në këtë qeverisje, Gjykata Kushtetuese dëshiron ta shfuqizojë termin “Gjuha Shqipe.
Reagimi i plotë:
Ali Ahmeti është idealist.
Idealisti dallon nga nihilisti, karrieristi dhe aventuristi. Ali Ahmeti siç ka punuar gjithmonë për shqiptarët, pa u zmbrapsur, e për çlirimin e tokave shqiptare, dhe çlirimin e vetë Kosovës, ka punuar dhe punon edhe për shqiptarët në Maqedoni të Veriut, që i bëri edhe me Kryeministër për herë të parë. Gjuha shqipe është zyrtare, madje edhe shprehimisht e kemi në ligj, ndërsa deklaratat ndryshe nga kjo mund t’i shërbejnë çdokujt, vetëm interesit të shqiptarëve jo.
Pikërisht termin “gjuha shqipe” dëshiron ta shfuqizojë Gjykata Kushtetuese që kontrollohet nga kjo qeveri pa legjitimitet etnik. Pikërisht për këtë qëllim dhe fshierjen e këtij termi, VMRO-DPMNE ka dorëzuar iniciativë në Kushtetuese në vitin 2019, e tash pritet të pranohet si e bazuar nga institucioni parapolitik.
Ndër shqiptarët ka idealistë të shumtë që do ta mbrojnë shqipen zyrtare. /tvklan.mk