AKTUALE

Në Universitetin e Tetovës u përkujtua jeta dhe vepra e Prof. Dr. Flamure Ibrahimi -Sadiku

Pas ndarjes nga jeta të profesoreshës së departamentit të Matematikës në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore Prof. Dr. Flamure Ibrahimi – Sadiku, Universiteti i Tetovës, sot organizoi mbledhje komemorative ku morën pjesë drejtuesit e Universitetit, familjarë, miq, bashkëpunëtorë, profesorë dhe studentë.

Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij theksoi se ndarja e parakohshme nga jeta e Prof. Dr. Flamure Ibrahimi – Sadiku është një humbje e madhe për Universitetin tonë, e në veçanti për Fakultetin e Shkencave Matematike -Natyrore dhe për katedrën e Matematikës, pasi që kemi humbur një personalitet të shquar të jetës akademike, një model të përkushtimit ndaj dijes dhe shkencës. Rektori u shpreh se bashkë me stafin akademik, profesorët si dhe të gjithë studentët dhe me familjen e saj, bashkëndiejmë dhimbjen, ndaj profesoresha Flamure do të kujtohet gjithmonë si një model frymëzimi për pasionin e saj që kishte për mësimdhënien.

Për jetën dhe veprimtarinë e Prof. Dr. Flamure Ibrahimi – Sadiku, foli kolegia dhe bashkëpunëtorja e saj në katedrën e Matematikës, Prof. Dr. Florinda Muhaxhiri – Imeri. “Sot jemi mbledhur për të kujtuar dhe nderuar një profesoreshë të jashtëzakonshme të matematikës dhe një mendje të ndritur, një njeri të dashur dhe të pakrahasueshëm. Profesoresha Flamure Ibraimi – Sadiku lindi më datë 23 korrik 1977 në Tetovë. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Tetovë. Studimet universitare i kreu në Universitetin e Tetovës në vitin 2001, si një nga studentet e gjeneratës së parë në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore, programi studimor Matematikë. Magjistroi në vitin 2008 në Universitetin e Prishtinës ndërsa doktoroi në vitin 2015 në Universitetin Politeknik të Tiranës. Në vitin 2001, filloi punën si profesoreshë e matematikës në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” – Tetovë derisa paralelisht u angazhua si asistente në Universitetin e Tetovës nga viti 2002. Në vitin 2006 u bë asistente e rregullt. Në vitin 2015 mori thirrjen akademike docent ndërsa në vitin 2020 thirrjen akademike profesor inordinar. Publikoi mbi 20 studime shkencore, tekste universitare dhe recensione në lëmin e Algjebrës dhe Gjeometrisë së fundme. Mori pjesë në shumë konferenca shkencore në rajon dhe më gjërë. Ajo dha kontribut shumë të çmuar si mësimdhënëse, si shefe e programit studimor Matematikë dhe si anëtare e Senatit të Universitetit të Tetovës, si rezultat i së cilës në vitin 2024 Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti, i ndau logon e Universiteti të Tetovës për kontributin e pakursyer dhe për merita të veçanta në punën kërkimore – shkencore dhe në mësimdhënie.” – theksoi Prof. Dr. Florinda Muhaxhiri – Imeri.

Për t’u përcjellur ngushëllime familjarëve, kolegëve dhe miqve të saj, në emër të Universitetit të Prishtinës, respektivisht departamentit të Matematikës në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore fjalë rasti mbajti Prof. Dr. Muhib Lohaj.

Ai u shpreh se humbja e saj është e rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë ne që e patëm fatin ta njohim. Unë dhe shumë kolegë të tjerë të Universitetit të Prishtinës patëm fatin që ta njohim për së afërmi Flamurën, që nga viti 1996, kur filluam të mbajmë mësim, si bashkëpunëtorë të jashtëm në Universitetin e Tetovës.

Në emër të familjes Sadiku fjalë rasti mbajti i biri i së ndjerës, Beqir Sadiku. “Sot, si kurrë më parë, ndihem i trishtuar, pasi i përkujtojmë virtytet e mamit tim. Ajo ishte një njeri i mrekullueshëm, e qetë dhe e vendosur, me një shpirt që ndriçonte në çdo hap që hidhte. Si profesoreshë, ajo solli energji pozitive në çdo klasë duke prekur zemrat e shumë studentëve. Si akademike e pasuruar me tituj shkencorë që i fitoi me mund dhe dije, si dhe shkencëtare e denjë që botoi plot punime dhe libra shkencorë në lëmin e matematikës. Më besoni kur them se mami gjithmonë dëshironte që t’i përkushtohej plotësisht punës së saj, për ta bërë gjyshin tim krenar. Tani, duke qëndruar para jush, e shoh se ajo e ka arritur këtë qëllim në jetë. Të premtoj mami që gjithmonë do mundohem të eci në hapat e tua dhe shpresoj që do të bëj krenar. Pra, të gjithëve na mbetet të plotësojmë dëshirën dhe përkushtimin e saj për më shumë pozitivitet, dashuri ndaj punës dhe studentët e saj të përhapin dijen dhe dashurinë ndaj lëndës së matematikës. Ngushëllime të gjithëve dhe lutemi që mami të jetë engjëll për të gjithë ne, në këtë botë dhe në botën tjetër. Takohemi në parajsë mami! Lavdi”-theksoi Beqir Sadiku.

Pas përfundimit të mbledhjes komemorative, miq, kolegë e familjarë, shkruan kujtime për profesoreshën Flamure në librin e zisë.

Related posts

Isen Shabani nga Senakosi: Me 24 prill dhe 8 maj do ta marrin përgjigjen edhe VMRO edhe argatët e saj

Gjyla Halili

Kovaçevski: VMRO dhe BDI të ulin tensionet – Mickoski vazhdon “avazin” e vjetër!

Gjyla Halili

Ekspert i NATO-s për sulmet kibernetike vjen në Maqedoni

admin