AKTUALE

Ka dy muaj që nxënësve në Tetovë iu mungojnë mijëra libra, Janevska fajëson drejtorët

Edhe pse kanë kaluar dy muaj pas fillimit të vitit shkollor, nxënësve nëpër shkollat e Tetovës ende iu mungojnë mijëra libra. Për këtë situatë, ministrja e Arsimit Vesna Janevska i fajëson drejtorët e shkollave se nuk i ka raportuar librat e dëmtuar dhe thotë se për këtë arsye kanë ngecur me planifikimin e tyre. Ndërkaq, nga Komuna e Tetovës thonë se javën e ardhshme pritet takim me ministrinë për zgjidhjen e këtij problemi.
Mungesa e furnizimit me libra shtynë prindërit të fotokopjojnë të njëjtat, që u shkakton barrë shtesë në xhepat e tyre. Nxënësit e shkollave fillore që në shtator u ankuan për Portalb.mk se u mungojnë libra nga lëndët më të ndryshme.

Për këtë problem, ministrja e Arsimit, Vesna Janevska fajëson autoritetet lokale, sepse siç thotë, nuk i kanë raportuar tekstet e dëmtuara dhe që kjo ka ndikuar në planifikim.

“Ky është një keqkuptim i madh. Ministria nuk mund të dijë se sa tekste janë të nevojshme nëse shkollat nuk i raportojnë. Nëse i ndiqni me kujdes deklaratat e punonjësve në Komunë, supozoj përgjegjësit e arsimit, ata vetë thonë se i kanë kursyer prindërit. Ligji parashikon që nëse teksti është i dëmtuar, prindi duhet të paguajë një shumë për restaurimin e tekstit nga 10 deri në 70%, në varësi të dëmit. Prindërit i kanë kursyer për arsye të panjohura, duhet ta thonë vetë pse dhe nuk i kanë raportuar tekstet e dëmtuara”, tha Janevska.
Megjithatë, të kontaktuar nga Portalb.mk për atë se tani veç më janë të njoftuar për këtë problem dhe pse nuk i printojnë librat që mungojnë, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës heshtin.

Prindërit nuk janë dënuar asnjëherë
Drejtoresha e shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë në të cilën mungojnë shumë libra, Sihana Kaba Kasami thekson se edhe pse në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës te librat ka dokumente dhe çmimore për të gjitha librat e dëmtuar në varësi të nivelit të dëmit, në 10 vitet e fundit askush nuk u ka kërkuar llogari për këto libra.

“Nxënësit janë gjendur sipas nevojës. Ndonjë libër i ri na ka ardhur, ndërsa të vjetërit janë lënë në harresë. Kjo punë kështu ka nisur, por duhet të ndërpritet dhe prindërit të vetëdijesohen se libri i dëmtuar duhet të paguhet. Sinqerisht, askush nuk ka mbajtur llogari për këtë gjë dhe të gjithë kanë vepruar njësoj”, tha Kaba Kasami.

Ajo shtoi se këtë vit janë azhurnuar të dhënat për librat dhe çmimorja për të njëjtët.
Shpresojmë që t’i përmbahemi këtij ligji. Problem tjetër është edhe me prindërit, ata e dinë që librat janë falas, por harrojnë se të njëjtat libra duhet të rruhen dhe mos të dëmtohen që të mund të përdoren në gjeneratat vijuese. Hajde edhe bindi se duhet t’i paguajnë, menjëherë e politizojnë punën”, theksoi drejtoresha.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk konfirmojnë se është e vërtetë që drejtoritë e shkollave fillore dhe të mesme nuk kanë kërkuar kompensim nga prindërit për tekstet e dëmtuara shkollore.

“Mirëpo, është e palogjikshme që të mos dëmtohen librat që përdoren në pesë gjenerata, siç e parasheh ligji aktual. Pasi të furnizohemi me tekstet e nevojshme, udhëheqësit e shkollave marrin përsipër të njoftojnë prindërit që duhet të paguajnë për çdo dëmtim që u bëhet librave”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Nga Komuna e Tetovës thanë se javën e ardhshme presin takim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të zgjidhin problemin.

Problemi me librat nuk është duke u zgjidhur me vite të tëra. Në të kaluarën në Tetovë ka pasur edhe protesta nga nxënësit për shkak të mungesës së librave.

Related posts

Dashtevski: Shkollat do të punojnë të martën, do të mbyllen vetëm ato hapësira me material zgjedhor

Gjyla Halili

T&S, shpall konkurs pune për 10 AGJENTË MARKETINGU

Gjyla Halili

HYDAJET HYSENI ËSHTË KRYEPERSONAZHI I PRILLIT TË VITIT 1981

admin