AKTUALE

Një memoar i shpirtit malësor

Pashko R. Camaj, Porosia e kullës
Shqipëroi: Nikollë Camaj
Shtëpia botuese: Onufri; Tiranë, 2024.
225 fq. ISBN: 978-9928-824-16-5

Autori i librit “Porosia e kullës” Dr Pashko R. Camaj u lind në Malësi, Mal të Zi në vitin 1964 ku edhe përfundoi shkollimin e mesëm dhe shërbimin e detyruar ushtarak, asokohe në Jugosllavi. Ai sikurse shumë bashkëvendës të tjerë të tij mori rrugët e mërgimit duke u shpërngulur në SHBA, ku më pas do vazhdonte studimet, ku mori gradën e doktorit të shëndetësisë publike në Universitetin e Kolumbias. Aktualisht është ndihmësprofesor në Universitetin William Paterson në Nju Xhersi si dhe sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra. Është autor i shumë punimeve shkencore të vlerësuara ndërkombëtarisht, ndërsa ky është libri i tij i parë i botuar fillimisht në gjuhën angleze në titullin “Dreaming from the trunk of an American car” (Duke ëndërruara nga bagazhi i një makine amerikane”). Thënë shkurt, dr Camaj është një nga intelektualët më të shquar malësorë në SHBA-a.
Siç thoshte poeti dhe filozofi francez Paul Valéry, përkthimet më të mira janë si xhami i dritares, nuk vërehen. Kështu që po të mos ishte shënuar emri i përkthyesit – prof. Nikollë Camaj, të cilin e përgëzoj – do të pandehej me të drejtë se kemi të bëjmë me një vepër origjinale të shkruar në shqip.
Titulli i dyfishtë i librit, i pari nga origjinali dhe i dyti nga përkthyesi, reflektojnë simbolikën sublime të këtij memoari, duke përfaqësuar përkatësisht fillimin dhe fundin e rrëfimit: fillimi në bagazhin e një makine në Meksikë ndërsa përfundimi me kullën e tij në vendlindje.
Rrëfimet e Pashko Camajt paraqesin në mënyrë të veçantë përvojën e tij personale, por reflektojnë edhe realitetin e shumë shqiptarëve, veçanërisht bashkëvendësve tanë malësorë, të cilët emigruan në ndjekje të ëndrrës amerikane. Dr. Pashku është një nga ata që mund të thuhet me plot gojën se e realizoi atë.
Siç thekson me të drejtë në parathënie të librit shkrimtari Besnik Mustafaj, nuk kemi të bëjmë vetëm me kujtime apo një memoar, por shumë më tepër se kaq.
Estetika e narracionit elokuent të Pashko Camajt, e denjë për një shkrimtar të klasit të lartë, ndërthur në mënyrë të magjishme e natyrshme stilin e letrarizuar dhe zhanret e ndryshme. Për më tepër, në memoarin e tij hasim ndërthurjen e kujtimeve në disa nivele: personale-familjare, kolektive-lokale-kombëtare, të cilat përçojnë histori dhe emocione të fuqishme. Në rrëfimet e tij të thella e të kujdesshme, sa emocionale aq edhe filozofike, mbi të gjitha realiste, lexuesi nuk mund të mbetet indiferent. Përjetimet e tij dhe të familjes së tij janë aq të forta saqë ndonjëherë lexuesi e ka të pamundur të mos derdhë lot.
Autori, si shumica e emigrantëve, përndiqet nga ndjenja e mundimshme e pyetjes thuajse “hamletiane” nëse ka mëkatuar duke braktisur atdheun. Ndonëse rrethanat e vështira të kohës, që pasqyrohen në kronologji të ndryshme – jeta në sistemin totalitar si komunizmi, diskriminimi, urrejtja, shtypja, varfëria e deri te problemet e tjera sociale – japin kontekst të mjaftueshëm. Gjithsesi, duhet theksuar se të gjitha vështirësitë, sado të dhimbshme, rrëfehen me dinjitet, të shoqëruara nga drita e shpresës hyjnore, stoike – e cila në njëfarë mënyre e ka formuar karakterin e autorit, rrëfimit por edhe vetë identitetin e malësorit.
Për më tepër, një lexim kontekstual filozofik i memoarit të Camajt, besimi në virtyt dhe Zoti si koncept metafizik janë çelësi themelor për të kuptuar karakterin dhe virtytet e larta tradicionale malësore – të cilat i paraqet me mjeshtëri.
Për ta përfunduar, duke pasur parasysh diapazonin e gjerë të rrëfimeve në fjalë, jam i mendimit se vlera e këtij libri i tejkalon kufizimet e klasifikimit modest si kujtime apo memoar, pasi në të autori shpalos jo thjesht rrëfime personale, por përshkruan artistikisht dhe autentikisht ngjarje me vlerë të madhe kulturore për sa i përket së kaluarës së Malësisë. Duke filluar nga jeta e dikurshme e përditshme, ngjarjet, ceremonitë, doket, zakonet, rrethanat politike, etapat historike dhe gojëdhënat e mikrokozmosit tonë…

Albert Bikaj

Related posts

Lajçaku për dialogun: Po punojmë për rezultate pozitive

admin

LAMTUMIRA E NËNËS SË HEROIT TË RI HIS FAZLIU

Gjyla Halili

Ahmeti publikon video përmbledhje të deklaratave të Mickoskit: Janë udhëzime të tij për Gjykatën Kushtetuese

Gjyla Halili