Të enjten, Kuvendi i Serbisë do të mbajë seancën e posaçme parlamentare për dialogun me Kosovën.
Në seancën e posaçme të Kuvendit të Serbisë, në rendin e ditës është Raporti për negociatat me Prishtinën nga 1 shtatori deri më 15 janar.
Seanca e Kuvendit pritet të nis në ora 10:00, ku aty do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq një ditë para seancës tha se do të ishte mirë të arrihet sa më shumë unitet në parlament, por gjithashtu deklaroi se nuk beson në këtë.
“Unë e di që për shumë njerëz, kur Serbia e ka të vështirë, është një mundësi për të marrë pikë politike dhe pushtet. Unë nuk e kam problem me këtë, si president nuk do t’i justifikoj askujt. Presidentët e tjerë kur erdhën, do i recitonte fjalët e tyre dhe do dilja nga parlamenti. Jam i vetmi qe marr pjese ne debat për here te katërt. Jam gati te jem dy-tre dite sado te zgjasë debati ne parlament te mos dal. Kam bere cdo gje sinqerisht dhe do të luftoj për vendin tim për aq kohë sa të mundem dhe për aq kohë sa të jem president në përputhje me mandatin e tij kushtetues, duke mos e tejkaluar atë për asnjë moment”, tha Vuçiq.
Në raportin që do t’u prezantohet deputetëve, thuhet se nga shtatori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti ka pasur përshkallëzim të krizës, si dhe diskriminim sistematik dhe dhunë ndaj serbëve në Kosovë.
Po ashtu theksohet se Beogradi nuk do të heqë dorë nga kërkesa që urgjentisht të formohet Asociacioni i Komunave Serbe , si dhe që Qeveria e Serbisë të vazhdojë të jetë e fokusuar në mbrojtjen e menjëhershme të sigurisë së popullit serb. si për mbrojtjen e interesave kombëtare serbe.
Përderisa përfaqësuesit e mazhorancës në pushtet bëjnë thirrje për unitet, opozita ka kërkuar që në seancë të diskutohet edhe propozimi franko-gjerman, apo evropian për Kosovën, sepse mendojnë se vetëm kjo do të kishte kuptim, raporton Kosovaonline.