AKTUALE

Tetori Rozë/ Pak fjalë shpirti për dikë që mposhti këtë sëmundje. Duaje veten tënde, që nesër të mos jetë shumë vonë

Shkruan: Eglantina Alliaj
Ajo quhet Mira, e gjatë, e dobët fizikisht, një grua e mbushur me mirësi dhe një nënë e shkëlqyer, por dhe një ndër mijëra gra që kanë vuajtur nga kanceri i gjirit. Vendosa ta tregoj historinë e saj, edhe pse kisha menduar që asnjëherë nuk do e thoja publikisht. E kam vuajtur bashkë me të peripecitë në spitale dhe sëmundjen e saj. Kjo është historia e motrës sime, ajo është motra ime e madhe. Para 6 vitesh ajo kishte një shqetësim të vogël në gjoksin e majtë, i mundësova një vizitë tek një mjek në Tiranë, i cili i rekomandoi të bëntë një biopsi, dhe më pas do të shikonin çfarë kishte ekzaktësisht. Hezitoi, refuzoi, edhe pas këmbënguljes sime dhe të familjarëve të tjerë. Nuk e bëri biopsinë. “Ndoshta është thjesht një shqetësim”-tha. Ndoshta u tremb, ndoshta nuk i besonte forcës së trupit të saj. Pas covidit, shqetësimet i filluan sërish, kësaj radhe më të forta dhe të padurueshme. Sëmundja ishte në shkallën e tretë. Çfarë situate, çfarë dhimbje…e këtu nisi kalvari i vizitave, analizave, ekove, skanerit etj…sa nga njëri spital në tjetrin, të gjitha në spitale private. Këtu kuptova se sistemi shëndetësor shqiptar shtetëror është i tëri në kolaps. Më pas hyri në operacion tek Onkologjiku në Tiranëm ku pa njohje dhe nëse nuk ke dhe jep para, duke filluar nga roja, inferimerët, kryenfermierët, doktor e doktoresha, askush nuk merret me ty…brenda këtij spitali, ku vdejka është shumë afër për secilin pacient, shikoja fytyra të zbehta, njerëz gati si kufoma, si të mjerë, sepse kështu të bën kjo sëmundje. Në atë spital(varr) vetëm stafit mjekësor i shkelqente fytyra, plot shëndet, e xhepi plot, kuptohet. Mungesë ilaçesh..e sa herë me vrap kam dalë përballe Onkologjikut në farmaci për të marrë ato që mungonin…sepse spitali, ngjasme nuk i kishte, por një mekanizëm korrupsioni e hajdutërie ishte e gjitha. Kjo situatë vazhdoi derisa mbaroi kimioterapi, rreze, vizita etj…Shpirti më këputej sa herë e shikoja të lodhur, të zverdhur, pa fuqi për jetën, pas çdo seance kimioterapie, e sa herë futej në trupin e saj ai helm me shiringa. Herë-herë e shikoja të pafuqishme për të vazhduar më tej….
Një ditë, i kërkova ti shikoja trupin pas operacionit, çfarë të shikoj, një pjesë trupi e gjymtuar deri nën sqetull….

E tregova këtë, për të thënë sa e rëndësishme është një vizitë në kohë, që sëmundja të kapet në fazat e saj të para. Një anashkalim, një frikë, një vonesë të kushton jetën. Të kushton jetën në këtë vend, ku mjekësia është kthyer në një kuçedër.

Çdo vajze, gruaje i jap këtë mesazh: Bëj një mamografi, një eko, një kontroll të trupit tënd prej femre që zoti të ka dhënë, që nesër të mos jetë tepër vonë për të gjitha ne, për ty, për mua e secilën prej nesh.

Related posts

172 gjoba në Shkup, 19 për përdorim të telefonit gjatë vozitjes

Gjyla Halili

Kovaçevski mirëpret sugjerimet e VMRO-DPMNE-së / VMRO-DPMNE e quan qyqar që fshihet pas grupit të punës

admin

Izet Mexhiti: Nuk ka Front Europian, BDI e izoluar dhe partner i padëshiruar nga të gjithë

Gjyla Halili