AKTUALE

Lladrovci: Plaga për të pagjeturit ende është e hapur dhe na kullon gjak

Në ceremoninë komemorative të organizuar nga komuna e Drenasit, lidhur me rivarrimin e pesë martirëve të kësaj komune, fjalë rasti mbajti kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci.

Në komemoracion morën pjesë nënkryeyarja e Kuvendit Saranda Bogujevci, ministrja Albulena Haxhiu, Andin Hoti, Enver Dugolli, familjarë të martirëve dhe qytetarë të shumtë.

Fjalimi i Lladrovcit në Komemoracionin kushtuar pesë martirëve në Drenas:

E nderuara nënkryetare e Parlamentit të Kosovës, znj. Saranda Bogujevci,
E nderuara Ministre Haxhiu,
I nderuari z. Andin Hoti, deputet Dugolli,
Të nderuara familje Baleci, Hoxha, Maloku, Syla dhe Berisha,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja e zotërinj,

Në këtë ditë pikëllimi, me rastin e rivarrimit të martirëve tanë, Gani Baleci nga Drenasi, i rivarrosur më 14 korrik 2024, Ramadan Hoxha nga Damaneku, i rivarrosur më 1 tetor 2024, Xhavit Maloku nga Polluzha, Agim Syla e Besim Berisha nga Shtutica që do të rivarrosen sot,
Shprehim solidaritetin tonë të thellë me dhimbjen e familjarëve dhe më të dashurve të tyre që pas një çerek shekulli, u identifikuan trupat e pajetë që do të varrosen ditë më parë dhe që do të varrosen sot ku familjet dhe ne kemi mundësi të vendosim buqetë me lule dhe t’i kujtojmë ndër vite.
Është e vështirë të flas në këto raste, sepse, plaga për të pagjeturit ende është e hapur dhe na kullon gjak.
Të flasim për të pagjeturit, është pak, sepse, i pagjeturi ka familje, ka prindër e familjarë të cilët jetojnë me shpresë, edhe pas 25 vitesh se do të zbardhet fati i secilit person të pagjetur. Dhimbja është e madhe, është e rëndë.
Jemi komunë me më shumë se 1200 dëshmorë e martirë, komunë në të cilën ushtria serbe bëri krime të rënda. Ajo ushtri kriminale hakmerrej në djepin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Armiku u përpoq ta gjunjëzonte popullin tonë, por nuk ia arriti. Kujtojmë me dhimbje, Likoshanin e Qirezin, Poklekun, Abrinë, Shtuticën, Vërbocin, Çikatovën, Negrocin, Gllobarin…
Të nderuar të pranishëm,
Secili nga Ju këtu, e ndjeni dhimbjen, e keni dhimbjen. Për shumë nga ju, dhimbja është përditshmëri. Bini në gjumë me dhimbje dhe zgjoheni me dhimbje.
Prandaj kurrë nuk guxojmë të harrojmë se okupatori serb shkaktoi mbi 400 varreza masive në Kosovë, me ushtri e polici dëshironte të na zhdukte nga faqja e dheut, andaj, pjesë e torturës për secilën familje, ishte tortura, dhunimi, vrasja dhe zhdukja e kufomave. Ata kanë dëshiruar që ne të jetojmë në ankth, me gjenerata, ashtu sikur për një shekull ushtruan gjenocid ndaj qytetarëve të Kosovës.
Me këtë mbledhje komemorative, shprehim nderimin tonë të thellë për martirët dhe familjet e nderura që kontribuan për lirinë tonë, martirët të cilët më në fund do të prehen në tokën e Kosovës së çliruar nga robëria serbe.
Ata na treguan me jetën e tyre se liria ka çmim të jashtëzakonshëm.
Por, sakrifica e tyre do të mbetet përherë në zemrat dhe në historinë tonë si dëshmi e qëndresës dhe vlerës së lirisë.
Ne jemi mirënjohës përgjithmonë për kontributin e dëshmorëve dhe martirëve të kombit.
Me punën dhe përkushtimin tonë, do të vazhdojmë të nderojmë trashëgiminë që ata lanë pas. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë për të mbrojtur dhe promovuar vlerat për të cilat ata ranë në altarin e lirisë.
Ne kemi obligim të përpiqemi për drejtësi për secilën viktimë nga gjenocidi serb.
Kemi detyrim, të zbardhim fatin e secilit të pagjetur, ndryshe, liria jonë mbetet e mangët, liria jonë mbetet e pjesshme.
Në këtë komemoracion, shprehim nderimin tonë të thellë për aleatët tanë të cilët na ndihmuan kur qenia jonë biologjike ishte e rrezikuar.
Shprehim nderim për të gjithë ata që ndihmuan në luftën për liri, duke mos harruar edhe të pagjeturit tjerë të Drenasit dhe në tërë Kosovën.
Nderim i përjetshëm për dëshmorët dhe martirët e kombit!
Nderim i përjetshëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!

https://www.facebook.com/share/p/UYnjYrSLxdYh6jj9/?mibextid=WC7FNe

Related posts

Fronti Europian dorëzoi listat për deputetë/ Аdemi: Jemi fitues të zgjedhjeve më 24 prill dhe 8 maj

Gjyla Halili

Deklarata e papritur e Arben Taravarit: Me ‘Besën’ dhe ‘Alternativën’ nuk na lidh asgjë!

Gjyla Halili

Nikollë Camaj: Suksese në rrugëtimin Europian Shqipëri

Gjyla Halili