Sokol Paja
Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe pranë
Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga në Riverdale New Jersey. Në një vizitë vëllazërore e të përzëmërt, zyrtarët e Vatrës sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit dhe anëtari i kryesisë Ilir Cubi u pritën nga kryetari i qendrës z.Sinan Alimi, drejtoresha e shkollës shqipe Gonxhe Meta, sekretari Fitni Istrefi, përgjegjësi i fesë islame të qendrës Nafis Vlashi, anëtari i bordit Shkëlqim Toska dhe mësueset Valdete Cenalia, Eglantina Mataj, Orkida Agaj, Fatjona Limani, Rabela Mlloja, Fatbardha Kapo, Labinota Zhaku, përgjegjësja për eventet e shoqatës Fatmire Mante dhe përgjegjësja për eventet e shkollës Mirjeta Dauti. Qendra Kulturore Shqiptare Amerikane Struga është themeluar në vitin 1977, ndërsa Shkolla Shqipe ka rreth 40 vite që ruan gjuhën shqipe, kulturën kombëtare dhe identitetin shqiptar. Shkolla Shqipe aktualisht ka 120 nxënës të regjistruar dhe zhvillon mësimin me dy turne çdo të shtunë nga 2 orë mësimi të gjuhës shqipe e kulturës kombëtare. Shkolla Shqipe zhvillon kurse vallëzimi, muzike e këngësh dhe aktivitete sportive duke u shndërruar në një qendër të fuqishme, sociale, edukative, kulturore e atdhetare. Kryetari i qendrës z. Sinan Alimi i shpjegoi zyrtarëve të Vatrës rrugëtimin historik të qendrës dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ruajtur gjuhën e kulturën kombëtare. Vatra i përgëzoi mësuesit dhe drejtuesit e shoqatës për punën e shkëlqyer patriotike e komunitare dhe garantoi mbështetje maksimale e pjesëmarrje të gjerë në aktivitetet edukative e atdhetare të Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga. Ky ishte një aktivitet i shkëlqyer komunitar, edukativ e atdhetar ku Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut.