Kryetari i Kërçovës, Fatmir Dehari, ka vizituar bashkatdhetarët në Alaska, me ç’rast i ka falënderuar për mikpritjen duke i përgëzuar për sukseset e tyre atje.
Faleminderit për mikpritjen tuaj të ngrohtë dhe për gjithçka që bëni për të mbajtur gjallë shpirtin shqiptar. Kërçova mbetet gjithmonë shtëpia juaj, dhe ne jemi krenarë për çdo sukses që keni arritur, ka shkruar Dehari.
Postimi i plotë i Fatmir Deharit në rrjetin social:
Të dashur bashkatdhetarë shqiptarë në SHBA, dhe veçanërisht ju në Alaskë,
Ishte një nder i madh për mua që, për herë të dytë, t’ju vizitoj dhe të përjetoj nga afër përkushtimin dhe sakrificat që keni bërë ndër vite. Ju, që para 50 vitesh u përballët me sfida të mëdha në një vend të largët si Alaska, keni treguar me guxim dhe punë të palodhur se çdo vështirësi mund të kalohet, duke ruajtur gjithmonë krenarinë për Kërçovën dhe identitetin shqiptar.
Në këtë udhëtim të dytë timin në Alaskë, mendova shumë për shokët e mi që jetojnë larg, në mërgim. Edhe pse jemi të ndarë nga distanca, lidhja jonë mbetet po aq e fortë sa gjithmonë. Çdo histori suksesi dhe çdo arritje e juaja është një burim krenarie për ne në Kërçovë. Ju, me punën dhe përkushtimin tuaj, vazhdoni të mbani gjallë vlerat dhe traditat tona, duke dëshmuar se largësia nuk mund të dobësojë lidhjet e zemrës dhe të shpirtit që kemi ndërtuar ndër vite.
Faleminderit për mikpritjen tuaj të ngrohtë dhe për gjithçka që bëni për të mbajtur gjallë shpirtin shqiptar. Kërçova mbetet gjithmonë shtëpia juaj, dhe ne jemi krenarë për çdo sukses që keni arritur.
Me dashurinë dhe energjinë e bukur që dini të jepni ,kthehem në vendlindje!
Respekt dhe përzemërsi!