“Trupi shërohet me të punuar, kurse mendja ndriçohet me të mësuar” (Naimi)Jeta i ka disa faza; secila prej tyre varet prej asaj paraprake. Pa dyshim se periudha më e rëndësishme është ajo gjatë viteve shkollore, kur çdo minutë, çdo orë e këtyre viteve është e artë, andaj edhe duhet kaluar me mësim, lexim e studim, sepse “trupi shërohet me të punuar, kurse mendja ndriçohet me të mësuar” thoshte Naim Frashëri. Allahu fuqiplotë në Kuranin fisnik porosit: “Le të shikojë njeriu se çfarë ka bërë për të nesërmen.” (Kuran, 59/18)
Me këtë ajet Allahu i Madhërishëm, ashtu siç i sjell në vëmendje jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër, i kujton që të bëjë edhe kujdes në ndërtimin e së ardhmes, për brezat e rinj. Sepse, gurët e së ardhmes vendosen që sot; populli i së ardhmes formohet që sot; e ardhmja është e fshehur në zemrën e rinisë së sotme; ç’mbjellim, do të korrim. Edhe Muhammedi a. s. i përkujtonte besimtarët, duke u thënë: “shfrytëzojeni rininë me punë të mira, para se t’ju vijë pleqëria”.
Prandaj, në këto ditë, kur po përgatitemi për të rinisur vitin akademik, përkujtojmë besimtarët e rinj: Qëndroni pas dijeve që arrijnë kohën dhe do t’ju bëjnë të sundoni mbi gjërat që ju shqetësojnë. Bëhuni mik të ngushtë me librin, në mënyrë të veçantë me librin e Allahut, Kuranin fisnik, dhe rriteni këtë miqësi dhe përpiquni gjithmonë të mësoni gjëra të reja. E, kështu, të bëheni të dobishëm edhe për njerëzit tjerë, sepse vlera e njeriut matet me kontributin që ka bërë për njerëzimin. Dija që do të fitoni, aftësitë tuaja, vlerat morale, do t’ju bëjnë një person të kërkuar në të gjitha fushat ku njerëzit kanë nevojë për personalitetin tuaj. Megjithatë, rruga e të qenit njeri i kërkuar kalon nga të qenët njeri që kërkon, që kërkon dije dhe kjo bëhet në rini, në shkollë. Mbani lart dinjitetin tuaj dhe mos kërkoni suksese që arrihen lehtë; dijeni që sukseset e lehta shkojnë lehtë. I dërguari i Allahut ka thënë: “Atij që niset në rrugën e dijes Allahu ia lehtëson rrugën e xhenetit! Engjëjt, të gëzuar, i shtrojnë flatrat e tyre para tij. Çdo gjë në qiell dhe në tokë, madje deri edhe peshqit në det, i luten Allahut xh. sh. që ta falë. Epërsia e dijetarit mbi të devotshmin është si epërsia e Hënës karshi yjeve. Nuk ka dyshim se dijetarët janë trashëguesit e pejgambereve…” Pra, nga personaliteti juaj i etshmi për dije ta shuajë etjen; i brengosuri, t’i largojë brengat; i shqetësuari, të qetësohet sepse myslimani është njeri i qetësisë dhe jo i ngatërresave dhe përplasjeve. Prandaj ti, besimtar i ri i formuar me dije dhe virtyte të larta morale, do të bëhesh shembull për myslimanët dhe jomyslimanët në përgjithësi. Në këtë mënyrë do të të dojë Perëndia, po dhe do të respektojë edhe njerëzia. Në këtë rast ia vlen të përkujtohet një thënie e Omerit r. a. drejtuar vëllait të vet, të cilit i kishte thënë: “Po të jap gjashtë porosi: nëse do që të qortosh dikë për mossuksesin tënd, qortoje veten tënde; nëse do që të armiqësohesh me dikë, armiqësohu me barkun tënd, sepse nuk ke armik më të madh se ai; nëse do që të falënderosh dikë, pikësëpari falëndero Allahun e Madhërishëm, sepse asnjë nuk ka bërë për ty më shumë se sa Ai; nëse do që të largohesh nga diçka, largohu nga fëlliqësirat, nga poshtërsitë dhe nga ligësitë; nëse do që të luftosh dikë, lufto djallëzitë, dembelinë, përtacinë dhe pasivitetin; nëse do që të shoqërohesh me dikë, shoqërohu me ata që lexojnë, me dijetarët, me të moralshmit, ndërsa dost/shok më të ngushtë bëje librin.” Pra, mos e tepro në harxhime dhe ushqehu me ushqim hallall, sepse edhe ajo ndikon në punën dhe funksionimin e trurit dhe të ideve tua. Bëhu modest në veshje; vishu njerëzishëm dhe në përputhshmëri me rregullat e fesë tënde. Kurseji prindërit dhe llogarit se si i fitojnë ata ato mjete që t’i japin ty. Bëhu i ndershëm në të gjitha lëvizjet tua ndaj më të vjetërve, ndaj më të diturve, ndaj të ngratëve; kudo që të jesh trego respekt: në shkollë, në rrugë, në familje, në autobus kështu do të reflektohet dija që ke nxënë dhe edukata që posedon.Shpeshherë e kemi përsëritur porosinë e Pejgamberit tonë të dashur, Muhammedit a. s., i cili thotë: “Kërkoni dituri prej djepit deri në varr”. Me këtë na thuhet se dituria është një proces që nuk ka fund, meqë njeriu kapacitetet e veta mund t’i zhvillojë e t’i zgjerojë deri në mbyllje të jetës së vet. Në lidhje me këtë të urtët kanë thënë: “Dituria është kapitali më i madh, prandaj njeriu këtë kapital duhet ta shtojë në çdo fazë të jetës, në çdo vend, në çdo kohë.” Në veçanti, gjatë viteve shkollore. Nuk është turp të mos dish; turp është të mos mësosh kur ke mundësi të mësosh. Zaten, dituri është edhe kjo: Të dish që nuk di. Kur do ta kuptosh këtë, do t’I drejtohesh diturisë. Me anë të dijes njeriu fiton vlerë. Dija është qëllimi më i mirë për të cilin njeriu duhet të lodhet dhe të brengoset. Flijimi në rrugën e dijes është një qëndrim me vullnet i çdo njeriu. Por, për të vazhduar këtë rrugëtim, nevojitet që të braktisen një numër i madh kënaqësish të kësaj bote dhe përballje me vështirësi të ndryshme. Në fakt, njeriu lartësohet nëpërmjet dijes. Sekreti që e ka ngritur Ademin a. s. mbi engjëjt është pikërisht dituria (Kuran, 2/30-32). Pa dyshim që është një urtësi e thellë edhe ajo që Zoti librin e Tij e ka filluar me fjalën lexo (Kuran, 96/1). Gjithashtu, domethënie të thellë ka edhe betimi i Perëndisë në lapsin dhe rreshtat që shkruan ai (Kuran,68/1). Por, nuk duhet harruar faktin që aftësia për të ditur njeriun e dallon vërtet nga krijesat tjera dhe njëkohësisht e bën të jetë përgjegjës për veprat e veta. Braktisjen e dijes dhe vendosjen e injorancës në shoqëri Pejgamberi a. s. e ka konsideruar si shenjë të kiametit. Dija i ngjan diellit: aty ku hyn, e ndriçon rrethin e vet. Dija arrihet me punë dhe me angazhim. Shpikësi i madh Edison ka thënë: “Asnjë sukses timin nuk ia kam borxh rastësisë; zbulimet e mia nuk lidhen me rastësinë; ato janë si rezultat i punës time; sukseset e mia 99% lidhen me përpjekjet e mia, ndërsa 1% i takojnë talentit tim. Ai që dëshiron të jetë zotëri i diturisë duhet të bëhet rob i punës.”Të dashur nxënës e studentë, prej jush kjo popullatë pret të bëheni mjekë, arsimtarë, inxhinierë, ekonomist, politikan, hoxhallarë. Ai pret t’i dilni zot zanatit tuaj, të bëheni njohës i fushave të ndryshme dhe specialist i profesionit tuaj. Mbi të gjitha, të bëheni të njerëzishëm, të kulturuar; me vetëdije, me përgjegjësi dhe me edukatë.Zoti ju ndihmoftë në studimet dhe punën tuaj.Dr.Hfz. Selver Xhemaili