Tuz, më 27 gusht 2024
Në Shtëpinë e Kulturës “Malësia”, në qytetin e Tuzit dje më 27 gusht 2024, u bë përurimi i romanit “Kush na mallkoi?!” dhe përmbledhjes poetike “Pikëllim dhe shpresë” të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj. Përurim e veprave e udhëhoqi moderatorja simpatike Bora Lucaj.
Pë romanin “Kush na mallkoi?!” Foli profesor Fran Camaj dhe profesor Mëhill Velaj. Për përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe Shpresë” foli prof. Bexhet Asani, i cili midis tjerash tha:
Shkrimtarja Age Gjokaj Ivezaj pas suksesit që pati me botimin e romanit “Kush na mallkoi?!”, ja tani para publikut artdashës del me përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe Shpresë”. Age Gjokaj Ivezaj kultivon paralelisht prozën dhe poezinë. Vëllimin poetik “Pikëllim dhe Shpresë” e karakterizon dashuria, këtu dashuria nocion i përgjithësuar si: dashuria e malli për atdheun, dashuria për popullin, dashuria për heronjtë, dashuria për fëmijët, dashuria për natyrën etj.
Kjo permbledhje me poezi paraqet një spektër të gjerë ndjenjash, përvojash dhe reflektimesh që janë të lidhura ngusht me jetën e mërgimit. Poezitë në këtë përmbledhje trajtojnë tema të ndara, por shpesh të ndërthurura me dhimbjen, mallin dhe dashurinë. Në veçanti, malli del në pah si një forcë e fuqishme që ndikon në perceptimet dhe ndjenjat e autores.
Sa i përketë metrikës së vargut, autorja kryesisht përdor distikun e herë herë ka përodr edhe vargun e lirë. Figurat stilistike metaforat dhe simbolet janë përdorë gjerësisht për të thelluar kuptimin e vargjeve dhe për të krijuar një lidhje më të fortë emocionale me lexuesin.
Poezia e saj, si e shumë poetëve të tjerë që janë larguar nga atdheu për shkak të konfliktit, persekutimit politik apo ekonomik, e bën poezinë e saj jo vetëm një shprehje e vetëdijes personale, por edhe një dokument historik dhe kulturor që pasqyron kohët e vështira që ka përjetuar. Ajo çka mbetet e përbashkët është përpjekja për të ruajtur një ndjenjë të identitetit dhe për të mbajtur gjallë kujtesën e vendit të origjinës.
Përmbledhja poetike “Pikëllim dhe Shpresë” është e ndarë në dy cikle në:
“Mall për Arbërinë”
dhe
“Bukuroshja e Malësisë”.
Në ciklin e parë “Mall për Arbërinë” janë përfshirë poezitë: “Flamuri”, “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, “Trimi i Arbërisë”, “Shqipëria ime”, “Atdheu”, “Malësia”, “Atdhe i sakatosur”, “Pavarësia”, “Kryengritja e Malësisë”, “Dëshira e mërgimtarit”, “Amaneti i mërgimtarit”, “Baca Kurtit”. Ndërsa në ciklin e dytë “Bukuroshja e Malësisë” janë përfshirë këto poezi: “Dashuria”, “Diana”, “Do të më kesh pranë si drita e diellit”, “Vajza”, “Themeli i Shtëpisë”, “Fëmijët”, “Jeta”, “Natyra”, “Urime për Vitin e Ri”, “Vdekja”.
Përmbledhja poetike “Pikëllim dhe Shpresë” ka si hyrje poezinë “Elegji për vëllain Tomë Gjokaj”, e cila të kujton kohët e kaluara që çdo vepër letrare qoftë roman, dramë, tragjedi, përmbledhje poetike etj., shoqërohej me prolog.
Në letërsinë popullore është i njohur vajtimi i motrës për vëllain. Në letërsinë tonë tragjedi të tilla familjare ka shumë, mjafton të përmend poetët tanë kombëtarë Naim Frashërin, Andon Zako Çajupin etj. Naim beu vajton vajzën e tij të vdekur. Çajupi vajton djalin e tij Stefanin i cili shkoi në ashim në lulen e rinisë, vajton gruan e tij të dashur nënën e Stefanit Evgjeninë e cila vdiq në moshë shumë të re. Poeti bashkëkohor Idriz Çelaj njëlloj vajton të bijën e tij të humbur tragjikisht në një moshë shumë të re, poeti Ali Podrimja Lumin e tij të dashur etj.
Dhimbja e motrës për humbjen e vëllait është e madhe. Zakonisht motra vajton vëllain, vishet në të zeza, zemra i digjet për vëllain e humbur. Ages si një malësore e vërtetë e lindur dhe e rritur me ligjet e pashkruara të maleve tona kreshnike, respekton këto ligje, të kujton Ajkunën e këngëve tona kreshnike, ajo vë në pah bëmat atdhetare të vëllait të saj. Kështu, Toma lufton me mish e me shpirt për të futur në Kongres dhe në Senatin amerikan, çështjen e shqiptarëve të ish Jugosllavisë në përgjithësi dhe çështjen e Kosovës në veçanti:
“…Ai punojë ditë e natë,
Çështja e Kosovës të shkojë në Senat!”
A mund të thuhet më qartë, më thjeshtë dhe më bukur se kaq?!
Toma me zhdërvjelltësinë e një atdhetari të flaktë ia arrin qëllimit. Fton Ibrahim Rugovën të dëshmojë në Kongresin amerikan për krimet e makinerisë serbe në Kosovë. Presidenti i Amerikës Xhorxh Bushi i Parë, për ti dhënë respektin e merituar, e ftoi në inaugurimin e tij në Shtëpinë e Bardhë. Të gjitha këto veprimtari të Tomës flasin qartë dhe si rrjedhim i gjithë kësaj veprimtarie atdhetare Toma nuk është dhimbje vetëm e një motre të djegur për vëllain por humbja e tij merr përmasat e një dhimbjeje kombëtare. Veprimtaria dhe Idealet kombëtare të Tomës me shokë u bënë realitet. Republika e Kosovës u bë shtet dhe populli shqiptar gëzon lirinë e dëshiruar në shekuj.
Poetesha Age Gjokaj Ivezaj që si e re, sa kreu studimet, mori rrugën e pakthim të kurbetit. Si e re ajo ndjeu dhe e përjetoi shtypjen e egër të ish sitemit jugosllav. Me shkuarjen e saj në “Tokën e Premtuar “- në Amerikë, asaj iu hapën horizonte të reja, në një anë ndjente dhimbje për vendlindjen e të afërmit e saj, në anën tjetër përjetoi lirinë e fjalës që i mungoi në atdhe, çështja e punësimit ishte problem, sidomos për ata student që mbaronin studimet në Kosovë.
“Që ta kuptojmë shpirtin e një poeti – pat thënë babai i poezisë moderne Sharl Bodler – duhet t’i kërkojmë fjalët që hasen më së shpeshti në veprën e tij”. Në vëllimin poetik “Pikëllim e Shpresë“ të Age Gjokaj Ivezajt fjalët më të shpeshta janë: flamur, liri, trim, kuqezi, luftë, triumf, krenari, guxim, gur, kështjellë, furtunë, suferinë, Vlora, Skënderbeu, Arbëri, shpata, kala, gjigant, Shqipëri, Kosovë, shqiponjë, stoik, strateg, diell etj. Siç shihet vëllimin poetik “Pikëllim dhe Shpresë “ të Age Gjokaj Ivezajt e frekuenton një leksik mjaft i pasur sa poetik po aq patriotik.
Fjalët: bukuria, jeta, mrekulli, lule, erë manushaqe, aromë, mbretëreshë, bukuroshja e malësisë, yll i bukurisë, drita e diellit, zogëz, mahnit, shkëlqim, thellësi e shpirtit, kopshti i jetës, pafajësia, ilaçi i zemrës e të tjera të ngjashme, shfaqin botën emocionale të poeteshës Age Gjokaj Ivezaj. Fjalë të tilla i shërbejnë autores për të krijuar një disponim optimist, vazhdimësinë e jetës së njeriut në përgjithësi.
Ngjarjet sa të lavdishme po aq tragjike të popullit tonë, e kanë preokupuar autoren e përmbledhjes poetike “Pikëllim dhe Shpresë” prandaj zënë një vend të rëndësishëm në këtë vëllim poetik. Luftërat heroike të kryeheroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu në tokën e Arbërisë. Bëmat e Skënderbeut janë burim frymëzimi për të rejat e të rinjtë në mërgim në veçanti dhe për të rejat e të rinjtë në atdhe në përgjithësi.
Shkrimtarja Age Ivezaj është e lidhur ngushtë me vendlindjen e saj. Ëndrrat e bukura i sheh aty ku i ka rënë koka. Luftëtarët dhe luftërat e Malësisë janë burim frymëzimi. Ajo është krenare që është bijë e Malësisë. Atë e preokupojnë padrejtësitë shekullore, që u janë bërë krahinave të Grudës, të Hotit, të Trieshit, të Kojës, të Luharit etj., kjo duket më së miri te poezia “Malësia” prandaj klith me tërë dufin e zemrës dhe qenien e saj njerëzore:
“Moj, Malësi, kala e barotit,
Me djemtë e Grudës e të Hotit.
Triesh, Kojë e Luhar,
Padrejtësisht nga nëna ndarë…..”
Apo te “Kryengritja e Malësisë” heroi i shqiptarisë Dedë Gjon Luli jep kushtrimin:
….Çohuni djem, në kushtrim,
Thërret Malësia për luftim.
Në Deçiq ngrite flamur.
Ka ardh dita me marrë hak,
Lart të ngremë të shtrenjtin bajrak.
Qysh prej kohës së Kastriotit, U valëvit, në mal të Hotit…”
Poetesha Age Gjokaj Ivezaj i këndon ndjenjës më fisnike në jetë dashurisë. I këndon bukurisë së rrallë të femrës shqiptare, të cilën e përshkruan me të gjitha nuret e brishtësnë dhe bukurinë e saj që të mahnit: të urtë, lozonjare, punëtore etj. Bukurinë e femrës shqiptare e paraqet me tipare hyjnore:
“…Vajzë malësore, bukuri,
Falma zemrën, moj, hyri…”
Ose duke e përshkruar bukurinë fizike dhe shpirtërore të femrës shqiptare:
“…Në shtatin tënd të hollë si selvi,
Belkëputura, trupi jot hardhi.
Në fytyrën tënde sytë si ulli.
Zemra e ngrohtë e plot dashuri…”
Shikuar në përgjithësi përmbledhjen poetike “Pikëllim dhe Shpresë” të shkrimtares Age Gjokaj Ivezaj e përshkon fryma e patriotike në veçanti dhe fryma e dashurisë në përgjithësi.
Bexhet Asani