Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me Kosovën për ta parë atë duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me popullin e Kosovës në këtë projekt për ta parë Kosovën duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Gjatë vizitës së saj në fundjavë, nënsekretarja jonë e Shtetit për Çështjet Publike tha se ne besojmë se vendi i Kosovës është në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë se ne besojmë se Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s, se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.
Natyrisht, këto gjëra nuk ndodhin vetvetiu, automatikisht, dhe një pjesë e punës sonë diplomatike është të ndihmojmë qeverinë e Kosovës që të bëjë gjërat e nevojshme për të shtyrë përpara çështjen e anëtarësimit dhe kjo na sjell tani në çështjen e Këshillit të Evropës.
Siç e thatë edhe ju, javën e kaluar është mbajtur një takim i Këshillit të Evropës, por aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk u përfshi në rend dite. Nga këndvështrimi ynë, është për të ardhur keq. Siç thashë, ne do të dëshironim ta shohim Kosovën anëtare, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë përtej veprimeve të ndërmarra deri më tani në mënyrë që kjo të realizohet. Ne nuk votojmë aty. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërqeveritare që nuk përfshin qeverinë time. Ne jemi vëzhgues në të, por këshilla jonë për qeverinë e Kosovës, si dhe këshilla e partnerëve tanë evropianë, ka qenë që t’i bëjë gjërat e vështira që po iu kërkohen, të cilat besojmë se do të jenë në dobi të popullit të Kosovës për të mundësuar anëtarësimin” tha ai në RTK.
Por a ka ende shpresë se mund të arrihet qëllimi?
“Natyrisht, ka shpresë se qëllimi mund të arrihet dhe kam besim se në të ardhmen do ta shohim Kosovën si anëtare të plotë të Këshillit të Evropës. Por, dua të theksoj përsëri kjo nuk do të thotë se kjo do të ndodhë automatikisht. Ka disa gjëra specifike që qeveria ende duhet t’i bëjë, që ia kanë kërkuar partnerët dhe miqtë e saj. Më duhet të them se nga këndvështrimi i SHBA-së, këshilla jonë për qeverinë ka qenë të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vendet e tjera në Këshillin e Evropës për të treguar angazhimin e saj të qartë dhe të vendosur ndaj të drejtave të pakicave.
Shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Dhe lidhur me këtë, mendoj se shumë shtete evropiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për të marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se qeveria duhet të bëjë gjëra që na lejojnë të jemi avokues të fortë dhe efektivë.“
Hovenier e komentoi edhe deklaratën e Escobarit se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, duke përmendur Asociacionin.
“Pra, nuk mendoj se më takon mua të them nëse qeveria e kuptoi apo zgjodhi të mos e kuptojë, thjesht, shpresoj që qeveria njëmend e kupton atë. Dhe ajo që dua është që qeveria të kuptojë janë dy gjëra. E para, Kosova ka shumë miq dhe ata miq duan ta shohin Kosovën në organizata si Këshilli i Evropës, por e dyta, ata miq duan të shohin vendin duke ndërmarrë veprime shtesë në mënyrë që të jenë të bindur për përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut.
Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë , është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën.” – tha ai.