AKTUALE

Mitsotakis: Athina nuk toleron “lapsuse” të tjera nga Shkupi


Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka deklaruar se Athina nuk do të tolerojë “lapsuse” të tjera të krerëve shtetërorë të Maqedonisë së Veriut, në raport me detyrimet që kanë për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës.


Reagimi i kreut të Qeverisë greke pason ceremoninë e inaugurimit të presidentes së re të Maqedonisë së Veriut, Gordana Silanovska-Davkova, të dielën, më 12 maj, e cila gjatë betimit nuk e përmendi emrin Maqedoni e Veriut, por vetëm Maqedoni.

“Betohem se do të mbroj sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e Republikës së Maqedonisë”, ka deklaruar Davkova duke lexuar betimin si presidente para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Mitsotakis ka thënë se “Greqia refuzon manipulime si ato, me të cilat zonja Silanovska hapi mandatin e saj” dhe i bëri thirrje që t’i respektojë detyrimet ligjore dhe t’u përmbahet obligimeve që dalin nga roli i saj si presidente.

“Ne deklarojmë se kategorikisht nuk do të pranojmë ‘lapsuse’ të ngjashme. Dhe, përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Evropës, varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Dhe, sigurisht, nga shmangia e sfidave”, transmetojnë mediat greke një deklaratë të kryeministri grek, Mitsotakis.

Në vitin 2018 Shkupi dhe Athina kanë nënshkruar atë që njihet si Marrëveshja e Prespës, për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.

Kjo marrëveshje i ka dhënë fund kontestit shumëvjeçar duke ua hapur rrugën përpjekjeve të vendit për integrim në BE dhe NATO.

Marrëveshja nga pala maqedonase ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Zoran Zaev dhe Qeveria që drejtohej nga ai. Qeveria që pasoi, e drejtuar nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski (po ashtu nga Lidhja Social Demokrate sikurse Zaev), ka respektuar në tërësi detyrimet e kësaj marrëveshjeje, duke përdorur emrin Maqedonia e Veriut.

Marrëveshja me Greqinë në vazhdimësi është kundërshtuar nga VMRO DPMNE-ja, e cila në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, ndërsa drejtuesit e saj në disa raste kanë përsëritur se në komunikimin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar do të përdorin emrin e vjetër të shtetit.

Related posts

Sulejman Baki bashkë me Iljas dhe Kolashinac mbrëmë për Iftar me qytetarët në Veles

Gjyla Halili

Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Tuz, Diaspora organizohet për shtatoren madhështore

Gjyla Halili

“Grup kri’minel që bënë akt te’rrorist ndaj Komunës dhe mua” – Isen Shabani deklarohet për rastin e Kishës në Gallatë

Gjyla Halili