Sokol Paja
New York, 11 prill 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra organizoi një promovim të shkëlqyer të veprës “KOSOVA, Sovraniteti versus Integriteti” të diplomatit, gazetarit e politologut Arben Çejku. Në fjalën e mirëseardhjes, sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj vlerësoi angazhimin dhe punën diplomatike e mediatike të z.Çejku duke e quajtur një punë të madhe kombëtare çështjet e trajtuara në punimin “Sovraniteti versus Integriteti” të përkthyer në anglisht nga ambasador Avni Spahiu. Ambasadori Arben Çejku në fjalën e tij falenderoi Vatrën për promovimin dhe solli në vëmendje rëndësinë e librit sidomos çështjet rreth situatës politike, statusit të çështjes së Kosovës ndërkombëtarisht, çështje të diplomacisë në Ballkan me fokus marrëdhëniet Kosovë- Serbi. Z.Çejku vuri theksin te dinakëria e Serbisë në fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Z.Çejku kritikoi politikanët e Shqipërisë se interesin e pushtetit e kanë parë më të rëndësishëm se interesin e shtetit në raport me Kosovën. Z.Çejku falenderoi mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e saj në çështjen kombëtare. Z.Çejku tha se Gjykata Speciale është lojë e Serbisë për të denigruar luftën çlirimtare të Kosovës, është një luftë speciale e gjykatës speciale kundër shtetit të Kosovës. Pjesëmarrësit në promovim pyetën Ambasadorin Çejku rreth Gjykatës Speciale, dialogun Kosovë-Serbi, politikat shqiptare në raport me Serbinë. Ambasadori Arben Çejku, është një nga themeluesit e Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë dhe Drejtor Ekzekutiv aktual i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë. Ai ka qenë ambasador i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut nga shkurti 2009 deri në nëntor 2013 dhe nga viti 2005 deri në vitin 2009 ka shërbyer si Shef i Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Kosovë. Ai është diplomat i trajnuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë (1993-95), si dhe nga Akademia Diplomatike në Vjenë (2006) për Politikat e Integrimit Evropian dhe nga Programi Austriak për Lidership në 2016. Z. Çejku ka ndjekur edhe Shkollën Diplomatike në Berlin (1994), Shkollën e NATO-s në Garmisch (1994), si dhe ka kryer një vizitë studimore me CNN Financial në Nju Jork (1999) etj. Ambasadori Çejku ka magjistruar në histori dhe filologji nga Universiteti i Tiranës (1993). Më parë ka qenë profesionist në mediat në Tiranë, si: Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATA), “Albania”, “Republika”, gazeta, “Panorama” etj. Ai gjithashtu ka qenë Bashkëthemelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Akademisë Diplomatike Shqiptare në 2001 – 2002. “Sovraniteti versus Integriteti” është libri i parë i botuar për dialogun Kosovë-Serbi. Ai është autor i një libri për periudhën e tranzicionit në Shqipëri, të quajtur “Demokracia e Imponuar” (2000) dhe dy librave të tjerë, një me poezi (1996) dhe një libër me letër si, “Twelve” (2013).
Besnik Mustafaj, ish- Ministër i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë rreth librit “Sovraniteti versus Integriteti” ka deklaruar se: “Arben Çejku, i ardhur në diplomaci nga gazetaria, ka drejtuar dy nga ambasadat më të rëndësishme për politikën e jashtme të Shqipërisë, atë të Prishtinës dhe atë të Shkupit, duke qenë për më shumë se një dekadë në burim të informacioneve të rëndësisë së veçantë lidhur me zhvillimet posaçërisht në Kosovë, por edhe më gjerë, në krejt Europën Juglindore. Punimi i tij “Sovraniteti versus Integriteti” është frut i qasjes së tij të drejtë për domethënien jetike që ka pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë si për këto dy vende edhe për paqen dhe stabilitetin e krejt rajonit. Ambasador Çejku shtron dhe argumenton pikëpamjen se, për arritjen e këtij pajtimi, nuk ka rrugë tjetër veç forcimit të sovranitetit të Kosovës dhe se çdo orvatje për pazare që prekin integritetin territorial të kësaj Republike, siç synon Serbia, vetëm do t’i frynte zjarrit të urrejtjes stërgjyshore”.