Të nderuar miq,
Në vendin tonë, ditën e mërkurë, qytetarët do të kenë mundësi të votojnë për zgjedhjet parlamentare, që nënkupton se do të zgjedhin përfaqësuesit e zonave të tyre në parlamentin e ardhshëm të Maqedonisë së Veriut.
Në bazë të rezultateve presidenciale të 24 prillit edhe njëherë u nënvizua se nuk votohet në bazë të ofertave konceptuale për zhvillim dhe progres të shoqërisë, por u votua në baza etnike, qytetarë të etnisë maqedonase akoma nuk kanë dalur nga prizmi kombëtar dhe të votojnë një kandidat shqiptar, edhe sikur biografia e tij/saj të ishte edhe më e plotësuar se e Nikolla Tesllës. Në zgjedhjet parlamentare të viteve 2017 dhe 2020, mijëra qytetarë të etnisë shqiptare treguan se në raste, votojnë koncepte të parapëlqyera, pa marr parasysh etninë e kandidatëve, e në rastin konkret, votuan kandidatët për deputet të etnisë maqedonase nga rradhët e LSDM-së.
Tanimë, shtrohet pyetja, a është më mirë blloku shqiptar fitues të jetë vendimarrës në qeveri dhe në organe për qytetarët shqiptar dhe komunitetet tjera, apo të hyhet në qeveri si humbës? Si humbës, nuk ke dinjitetin e as komoditetin të bësh as kërkesa e as të jesh vendimarrës, por çdoherë do të përcjell fati se me mëshirë je bërë hyzmeqar, ky dimension është i dëmshëm dhe tanimë i provuar në 2006.
Ne jemi të barabartë mes të barabartësh dhe kjo rrugë nuk kthehet më mbrapa. Shqiptarët duhet të bashkëjetojnë me respekt të ndërsjellë me maqedonasit dhe komunitetet tjera, si dhe përcaktimin se kush udhëheq në qeveri e bëni ju të nderuar qytetarë dhe asesi dëshira e individit.
Disa qarqe denigruese, thuan që në vitin 2017 është prishur teza dhe marrëveshja e formimit të qeverisë në bazë të fituesit me fituesin, por duhet të dijmë që atëbotë, komuniteti ndërkombëtar dhe shumica e qytetarëve kërkonin mënjanimin e nacionalizmave, daljen nga skëtera e problemeve me fqinjët dhe hyrjen në Nato dhe BE, kush ka memorje të mirë, kujton se këto pritshmëri ishin të pamundura me atë mendësi arkaike, prandaj e ardhmja e qytetarëve ishte mbi një vendim dypalësh dhe që shpinte në rrugë qorre. Sot, jemi anëtarë të NATOs, ndërsa kemi zhvilluar dhe skriningun me Bashkimin Europian, rruga e hapjes së kapitujve për aderim në BE duhet të vazhdojë dhe garancë më e mirë sesa Ali Ahmeti dhe Fronti Europian nuk ka.
Njëherit, opozita shqiptare promovon veten si i vetmi opcion politik kombëtar në zgjedhje, duke aluduar që Bdi dhe Fronti Europian ngërthen në vete dhe tre komunitete të tjera më të vogla. Por, ju pyes juve qytetar, a nuk është kombëtare që të krijosh besim te komunitetet e vogla për t’ju bashkangjitur shqiptarëve për herë të parë në rrugëtimin e ndërtimit të shtetit? A nuk është kombëtare, që për herë të parë të rreshtohen edhe bashkëqytetarët e kominiteteve në vizionin e një të ardhme të sigurt për gjeneratat e ardhshme? Vetëm bashkimi bën fuqinë. Rruga e integrimit Europian, gjithë e dijmë se kalon përmes ndryshimeve kushtetuese, prandaj hyrja pa kushte në qeveri, për më tepër edhe tentativa e hyrjes duke mos respektuar verdiktin e popullit, është jo-besnikëri edhe për vetë votuesin e opozitës.
Personalisht, më indinjon fakti, që nuk ka përplasje programesh dhe projektesh, nuk shoh promovim të duhur të platformave politike, ofertë ideshë për ndalje të migracionit, krijim të ekosistemit bashkëkohor të ndihmës sipërmarrësisë në vend, krijimit të një sistemi shëndetësor të kapshëm për qytetarët, realizimin e një oferte të mirëfilltë akademike dhe arsimimi cilësor për të rinjtë, sepse gabimi i një mësuesi, ec përmbi tokë do të thoshte Dritëro Agolli. Oferta e vetme e opozitës është të rrëzojmë “zullumin”.
Jam i bindur se nuk është zollum ndërtimi i arterieve të rrugës, që lidh Durrësin e Tiranën me Tetovën e Kumanovën e gjetiu. As fillimi i projektimit të rrugës që kidh dy qytete të lashta rrëzë Sharrit, Tetovë -Prizren nuk mund të quhet zollum. Themelimi i 3 universiteteve në gjuhën shqipe, ndërtimi i shkollave, sallave, teatrove, çerdheve, sigurisht që nuk mund të quhet si e tillë, por a ka punë për të bërë? Sigurisht që ka mbetur edhe shumë punë për tu bërë.
Bindja ime është se nacionalizmave mundet që t’ju ndalet turri vetëm me bashkërendim të koncepteve dhe aktiviteteve, prandaj kërkoj nga të gjithë ju, që me 8 Maj, të përkrahni fuqishëm Frontin Europian. Dua të theksoj se opcioni Vlen janë vëllezërit tonë dhe ne nuk e kemi betejën me ta, por më vjen keq që me dashje ose pa dashje i bëjnë nder, kërkesës për rikthim mbrapa dhe koketim me ata të cilët kërkojnë themelime tribunalesh e gjueti shtrigash për çlirimtarët e 2001, që do ishte një limitim i zhvillimit të vendit dhe një iniciativë mjaft e rrezikshme për të ardhmen europiane. Njëherit, ne jemi koshient se komuniteti më i madh në vend janë bashkëqytetarët tanë maqedonas, më pas vijnë shqiptarët.
Me përkrahjen e idesë se Vmro mund të zgjedh kë të dojë tek shqiptarët, pa marr parasysh vullnetin e qytetarëve shqiptarë, ne krijojmë dimension të dëmshëm politik për komunitetin e dytë më të madh në vend, që edhe për të ardhmen do të ishte mjaft i dëmshëm, atëherë sdo kishte nevojë që shqiptarët të dilnin në votime, por kë do preferonte si “shqiptar më të mirë” fituesi në bllokun tjetër, do ta merrte në qeveri.
Ne nuk duhet të lejojmë të “merremi” në qeveri, ne jemi hisetar dhe vendimarrës në këtë shtet dhe vet përcaktojmë se kush na përfaqëson dhe jam i bindur se spinat politik do të përfundojnë menjëherë pas zgjedhjeve dhe vullneti i qytetarëve do të konkludohet.