Të nderuar, edhe pak ditë na ndajnë nga dita jonë e fitores. Të gjithë ju, që deri dje jeni hamendësuar për votën tuaj, ju që keni votuar nën presionin e ndonjë partie tjetër, dhe të gjithë ju që jeni të pavendosur dhe keni ende mëdyshje për të ardhmen tuaj, çlirohuni, mendoni për ndryshimin dhe të ardhmen e re që na pret.
Shfrytëzoni të drejtën tuaj të votës për t’i dhënë një shtytje të re këtij ndryshimi. Dilni të votoni, sepse pjesëmarrja juaj, vota juaj, bën ndryshimin e madh, atë që i kemi vënë vetes si kusht të patjetërsueshëm, për t’i thënë jo agjitacionit ndaj jush.
Ne e kemi kapërcyer veten, dhe jemi sot këtu, si garantues jo vetëm të votës suaj por edhe të ndryshimit dhe çlirimit që ju keni ëndërruar.
Jam këtu t’ju garantoj se pavarësisht pallavrave që imponojnë parti të caktuara, për agjenda të huaja e për mjegulla që janë mësuar të shesin çdo ditë, ne jemi ata që do të nisim nga rruga e luftës kundër korrupsionit që u veshi sytë politikanëve të deritanishëm, por deri edhe në finishin e ndryshimeve kushtetuese dhe hapjen e dritares evropiane.
Ne do të luftojmë për barazinë tuaj ekonomike, për ndaljen e eksodeve të të rinjve, për rikthimin e vlerave arsimore dhe mbi të gjitha, për çlirimin nga njëmendësitë politike që i vuani prej 20 vitesh.
Votoni dhe bëjeni që të vlejë shtrenjtë e mërkura e 8 majit.