AKTUALE

KISHA KATOLIKE “ZOJA E SHKODRËS” NË NEW YORK FESTOI 25 VJETORIN E SHUGURIMIT


Sokol Paja

Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York bashkoi shqiptarët e Amerikës në një festë madhështore në 25 vjetorin e shugurimit. Klerikë, aktivistë të shquar të komunitetit shqiptar në Amerikë, diplomatë, ambasadorë, media, kryetarë shoqatash,  organizatash e shqiptarë të ardhur nga Shqipëria, Kosova e trojet etnike e bënë këtë përkujtim shumë të veçantë e të paharrueshëm. Mbrëmjen e hapi Diakoni i arshshëm shqiptar në New York z.Orsin Turmalaj i cili ftoi për fjalën kryesore kryetarin e Këshillit të Kishës z.Nrek Tonaj i cili në fjalën e tij falenderoi besimtarët e famullisë për mbështetjen ndaj Kishës e Famullisë.
Ekspozoi punën e jashtëzakonshme të Dom Pjetër Popaj me famullinë prej 4 dekadash dhe bëri thirrje për një angazhim më të fuqishëm të besimtarëve në mbështetje të aktiviteteve fetare, atdhetare e kulturore me qendër Kishën Zoja e Shkodrës në New York. Nën prezantimin brilant të Dr. Elisabet Peraj e cila pasi prezantoi të gjithë të ftuarit e nderit ia dha fjalën famullitarit Dom Pjetër Popaj. Prijësi i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” Dom Pjetër Popaj në fjalën e tij tha se Kisha dhe qendra e kishës “Nana Tereze” kanë shërbyer si një forcë bashkuese për shqiptarët nga afër dhe nga vendlindja, brenda mureve të kishës sonë, ne kemi gjetur një bazë, një identitet të përbashkët fetar e kombëtar. Kisha jonë ka qenë një fener drite, që na ka udhëhequr drejt një kuptimi më të thellë të vetvetes tonë. Na ka ofru një platformë për të kultivu trashëgiminë tonë të pasur. Përveç shërbimeve fetare në qendren “Nana Tereze” kemi programe edukative për të rinjtë tonë, kemi klasa të gjuhës, muzikës, vallzimeve, festivaleve, karnavaleve, festimeve të ndryshme fetare e kombëtare. Të gjitha këto i përcjellin traditat tona brezave të ardhshëm dhe nderojnë sakrificat e paraardhësve tanë” tha ndër të tjera Dom Pjetër Popaj.
Imzot Dodë Gjergji – Ipeshkëv i Kosovës përgëzoi punën e famullitarit Dom Pjetër Popaj dhe veprimtarinë e shkëlqyer të shqiptarëve të Amerikës.
Takimin festiv e përshëndeti kryetari i Prishtinës Përparim Rama i cili vlerësoi Kishën dhe Federatën Vatra, zv.ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës së Kosovës Liza Gashi dhe letër përshëndetëse nga ish kryetari i Westchester County Andy Spano. 
Programi festiv vazhdoi me fëmijët e shkollës shqipe pranë Kishës me këngë për “Zojën e Shkodrës” shoqëruar nga  Donika Ukshini dhe fjala e z.Mark Shkreli që riktheu në kujtesë 25 vite veprimtari fetare e atdhetare të Kishës Zoja e Shkodrës. Poezitë e poetit të shquar kombëtar  At Gjergj Fishtës “Zoja e Shkodrës” dhe “Shkodra e Zojës” u recituan me shumë emocion nga Gabriel Gojcaj dhe Mary Camaj. Soprano Donika Ukshini e baritoni Kreshnik Zhabjaku të shoqëruar nga kuarteti i harqeve emocionuan të pranishmit me një përformancë të shkëlqyer artistike me këngë të njohura të atdheut tonë si: “Luleborë”, “Pranvera filloi me ardhë”, “Kur perëndon dielli”, “As aman o trandafil i çelës” etj. Kënga kushtuar 25 vjetorit të kishës Zoja e Shkodrës titulluar “Kisha jonë rreze shpërnda” me tekst të poetit Gjovalin Lumaj, muzika Kreshnik Smajlaj, interpretuan Vasel Shkreli, Luigj Tinaj, Tom dhe Kreshnik Smajlaj, shoqeruar nga Lindon Ivezaj u mirëprit me duartrokitje të shumta.
Grupi “Rozafati” me koreografen e shquar të kombit tonë Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh” interpretuan magjishëm valle shqiptare me motive çame, me motive malësie dhe me motive nga Tropoja duke emocionuar të pranishmit. Një tjetër performancë e jashtëzakonshme e “Rozafatit” dhe shfaqje e përkryer realizuar nën kujdesin e ambasadores së kulturës shqiptare në Amerikë znj.Angjelina Nika. Festa vazhdoi deri në mesnatë nën tingujt muzikor të Vjollca Lukës e artistëve që nderuan festimet kushtuar 25 vjetorit të shugurimit të Kishës “Zoja e Shkodrës”.
Foto: S.Paja

Related posts

RMV, funksionarët do të marrin paga më të larta për rreth 1000 euro

admin

Dy emra shqip, Arben e Bujar pritet të garojnë për president të Republikës?

Gjyla Halili

Në zgjedhjet presidenciale në RMV do të mund të votojnë 2571 shtetas tanë të huaj

Gjyla Halili