Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik sot shpalli thirrjen publike “Grante të bashkëfinancuara për komercializimin e inovacioneve”, përmes së cilës janë siguruar 8 milionë euro për mbështetje të projekteve për komercializimin e inovacionit në ndërmarrjet vendase.
Thirrja u dedikohet ndërmarrjeve që duan të zhvillojnë produkt, shërbim apo proces inovativ, vetëm ose në bashkëpunim me ndërmarrje dhe/ose institucion tjetër që ushtron arsimin e lartë, gjegjësisht veprimtari kërkimore-shkencore. Mbështetja financiare ofrohet për ndërmarrjet vendase që kanë projekte me qëllim të qartë komercial, që janë në fazën e prototipit dhe deri në fazën parakomerciale. Nëse propozim projekti dorëzohet nga një konsorcium, në atë rast propozim projekti dorëzohet nga aplikuesi udhëheqës, ku anëtarë të konsorciumit mund të jenë ndërmarrje, institucione të arsimit të lartë dhe institucione kërkimore shkencore nga vendi dhe jashtë.
Fondi i përgjithshëm shpërblyes i thirrjes është 8 milionë euro, ndërsa Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik ofron mbështetje financiare në vlerë prej 20 milionë denarë, gjegjësisht financim deri në 70% ose deri në 60% të buxhetit të përgjithshëm të projektit, varësisht nga numri i punonjësve dhe të ardhurave vjetore të realizuara në dy vitet e fundit. Kohëzgjatja e projekteve mund të jetë deri në 24 muaj.
Gjithashtu, me këtë instrument inkurajojmë ndërmarrjet që të kërkojnë burime shtesë financimi, kështu që nëse për kohëzgjatjen e projektit dhe deri në miratimin e raportit përfundimtar nga Fondi, përfituesi paraqet vërtetimin e një investitori tërheqës i cili ka investuar një shumë të barabartë me të paktën 50% të shumës së mbështetjes financiare të dhënë nga Fondi ndaj përfituesit, përfituesi do të lirohet nga detyrimi për pagesën rojallti.
Aktivitetet që do të miratohen për financim në kuadër të thirrjes janë për: hulumtim dhe zhvillim, testim, aktivitetet në lidhje me mbrojtjen e pronësisë intelektuale, dizajn, zhvillim të linjave pilot, aktivitete që lidhen me sigurimin e cilësisë dhe aktivitetet e marketingut dhe shitjes.
Kriteret kryesore sipas të cilave do të vlerësohen propozim projektet janë: shkalla e inovacionit, cilësia e projektit, kapaciteti i ekipit të projektit, potenciali i tregut dhe ndikimi i projektit.
Procesi i evaluimit të propozim projekteve do të zhvillohet në dy faza: faza e para-përzgjedhjes e cila kryhet nga tre ekspertë vendas për projekt, dy ekspertë nga fushat që korrespondojnë me kriteret e vlerësimit dhe një person nga fusha që korrespondon me propozim projektin. Faza e dytë, pra faza e përzgjedhjes, kryhet nga Komiteti ndërkombëtar për Miratimin e Investimeve, i cili merr edhe vendimin përfundimtar për financimin e projektit.
Afati i aplikimit për thirrjen publike “Grante të bashkëfinancuara për komercializimin e inovacioneve” është deri më 4 qershor 2024, ora 14:00. Më shumë informacion rreth thirrjes mund të gjeni në linkun e mëposhtëm: https://fitr.mk/sq/komercializimi-i-inovacioneve