Bardhyl Dauti, ish deputet dhe profesor universitar, në një deklaratë në rrjetet sociale ka bërë një vëzhgim të thellë mbi strategjitë politike në zgjedhjet presidenciale, ku dhe thekson rëndësinë e legjitimitetit dhe nevojën për organizim politik të shqiptarëve.
Ai tha se kombinimi i dy kandidatëve pa amza politike në koalicionin VLEN ishte një hap i gabuar, sidomos në zonën 6, kjo strategji ishte nënçmim politik për qytetarët e Pollogut.
“Një kandidat i projektuar i listës VLEN pa amzë politike, me origjinë nga zona 5, i cili konkuron në Pollog (zonën 6), si i dyti në listë, i solli 5 herë më pak vota në vendin e tij të origjinës kandidatit të tij presidencial, i cili gjithashtu ishte pa amzë politike. Përveç tjerash, kjo strategji veprimi ishte edhe nënçmim politik për qytetarët e Pollogut.
Dy kombinime garuese pa amza politike sepse VV nuk është e formuar në MQV, ndërkohë që amza e ASh-së nuk i takonte presidentit në garë. Një ngatëresë e panevojshme e të mos flasim për ngatëresën ideologjike të amzave të munguara brenda koalicionit VLEN, sepse mund të del një mish-mash i rëndë”, tha Dauti.
Dauti vlerëson se shqiptarëve u duhet organizim politik autonom, i udhëhequr nga BDI, dhe jo individë që veprojnë pa strategji kolektive. Ai përdor një gjuhë matematike për të shpjeguar se politika në Maqedoninë e Veriut duhet të shihet si një matricë me katër elemente.
“Shqiptarëve Ju duhet organizim politik autonom, i cili gjendet vetëm brenda frontit, të udhëhequr nga BDI, jo individ që veprojnë politikisht pa strategji kolektive, me inercion individual e pa amza politike, siç ishin këto dy raste.
Shprehur me një gjuhë matematike, politika në MQV duhet të shihet si matricë e rendit të 2-të me 4 elemente, ku brenda një koncepti teorie loje të një ekuilibri të supozuar NASH, dy elemente (legaliteti dhe legjitimiteti) i takojne kampit politik maqedon dhe dy elementet e mbetura (legaliteti dhe legjitimiteti) i takojnë kampit politik shqiptarë, tha Dauti.
Ai theksois se Legaliteti dhe legjitimiteti i kampit politik maqedon janë më funksionale se ata të kampit politik shqiptar.
“Në kushte të supozimit se dy elementet matricore të kampit politik maqedon: legaliteti (rendi kushtetues) dhe legjitimiteti (vota nacionale) janë më funksionale kundrejt dy elementeve të njëjta matricore të kampit politik shqiptar, për arsyet e njohura demografike dhe të sistemit politik, ku në këtë rast legaliteti shqiptar lëngon pak më shumë se legjitimiteti shqiptar, sepse akcesi kolektiv i shqiptarëvë në sistemin politik, juridik e kushtetues është më i brishtë kundrejt maqedonasve, i vetmi mekanizëm demokratik për të arritur në ekuilibrin NASH, i cili mund të intepretohet si mirëqenie politike për të gjithë etnitë në shtet, është të shfrytëzojmë elementin më të shëndoshë, legjitimitetin për të rikuperu e shëndosh elementin më pak të shëndoshë të këndit tonë të matricës katër elementëshe, legalitetin”, tha Dauti.
Gjithashtu ai bëri edhe një krahasim pozitiv me bashkëqeverisjen e fundit të BDI-së, e cila prodhoi mirëqenie kolektive për shqiptarët.
“Një shembull i mirë në ketë drejtim ishte bashkëqeverisja e fundit e BDI-së e cila u karakterizua me sasi e cilësi pushteti, të panjohur si më parë, që prodhoi mjaft mirëqenie kolektive për shqiptarët, (siguria publike-NATO, përafrimi integrues me BE-në në emër të politikave të fqinësisë së mirë me Bullgarinë dhe vendet tjera, përfundimin e postulateve institucionale për ndërtim të koridorit 8 dhe rrugës Tetovë-Prizren si parakushte kyçe për zhvillim ekonomik të pjesës perendimore të vendit). Sa për koridoret, mjafton të kujtojmë dallimin pozitiv në zhvillim ekonomik të Kosovës para dhe pas ndërtimit të dy koridoreve (Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi)”, tha Dauti.
Dauti thekson se vetëm përmes legjitimitetit të të nënpërfaqësuarëve mund të arrihet ekuilibri i nevojshëm në sistem politik dhe të përmirësohet qasja kolektive e shqiptarëve.
“Si përfundim, vetëm përmes legjitimitetit të të nënpërfaqësuarëve, mund të arrijmë brazinë e plotë në sistem politik të vendit dhe të përmirësojmë qasjen kolektive të shqiptarëve dhe popujve tjerë, në sovranitet të shtetit dhe kështu në një dinamikë afatmesme të përmirësojmë edhe legalitetin (rendin kushtetues, çështjen e 20 përqindëshit), elementit matricor që lëngon. Çdo rrugë tjetër na shpie në humnerë!”,tha Dauti.