Marrëdhëniet brenda shumicës parlamentare do të rishqyrtohen, tha për Televizionin E deputeti i Forumit Shqiptar, Nikollë Camaj. Ky reagim vjen pasi deputeti i Lëvizjes Evropa Tani Vasillije Çarapiq abstenoi gjatë votimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Camaj tha se do të insistojë në përgjigjen e Çarapiqit, pse ndryshoi, pasi sipas Camajt, ai në Strasburg shkoi me një mëndim tjetër.
Rikujtojmë, nga delegacioni i Malit të Zi në Strasburg vetëm një nga tre deputetët votoi pro Kosovës. Kryetarja e delegacionit Maja Vukiçeviq votoi kundër, ndërsa deputeti i partisë së Kryeministrit Millojko Spajiq, Vasilije Çarapiq, abstenoi gjatë votimit. Pro votoi vetëm deputeti Socialdemokrat, Boris Mugosha.
Deputeti Camaj tha se kush nuk është i gatshëm ta respektojë marrëveshjen, nuk mund të llogarisë në Forumin Shqiptar.
“Për sa na përket neve, e nënshkruar apo e panënshkruar, për atë që jemi dakorduar, do ta respektojmë deri në fund. Por nuk do të lejojmë që të mos na respektojnë. Unë jam ende në Strasburg dhe nuk kam pasur rast të flas me Çarapiqin, të shohim se cilat janë arsyet që ai ndryshoi mendim, sepse ai erdhi në Strasburg me një mendim tjetër. Kërkojmë shpjegim se çfarë ka ndodhur ndërkohë”, thekson Camaj.
Ai tha se marrëveshja e nënshkruar ka disa detyrime.
Marrëveshja e nënshkruar e shumicës parlamentare është e qartë, orientimi i politikës së jashtme të Qeverisë së 44-të do të bazohet dedikim e besueshëm të Malit të Zi në NATO si anëtare e saj, angazhimin e plotë për integrimin në BE, zhvillimin e bashkëpunimit miqësor me shtetet fqinje të cilat Mali i Zi i ka njohur.
Nga Qeveria nuk e kanë komentuar abstenimin e deputetit të Evropa Tani. Nuk e kanë komentuar as nga Ministria e Çështjeve Evropiane.