Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.
Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.
Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, tha për televizionin publik se dita e votimit është hapi gjigant drejt anëtarësimit, por nuk është hapi final, sepse hapi final kërkon edhe votën e ministrave të jashtëm.
Këshilli i Evropës është organizatë lidere në Evropë në fushën e të drejtave të njeriut. Pjesë e tij janë 46 shtete, përfshirë 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe të gjitha vendet e rajonit.
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut – me seli në Strasburg, Francë bën monitorimin e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 pak kohë pas përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë, pas agresionit në Ukrainë
previous post