AKTUALE

Besimi: Po shkojmë drejt rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit

Në kohë krize dhe kohësh të trazuara, ne mund të ngadalësojmë rritjen, por nuk duhet të humbasim kurrë drejtimin. Krahas asaj që duhet të adresojmë në afat të shkurtër me masat kundër krizës, duhet të bëjmë edhe reforma thelbësore në drejtim të rritjes së qëndrueshme, tha ministri i Financave Fatmir Besimi në panelin “Politikat fiskale, monetare dhe tatimore në kohë krize, bashkëpunim dhe siguri” që u mbajt në kuadër të ditës së dytë të konferencës vjetore “Viti i mundësive të reja” të organizuar nga Qeveria.

“Ne synojmë rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit, por nuk duhet harruar se pa resurse njerëzore vështirë se do të mund të ndërtojmë kapacitete institucionale”, tha Besimi.

Ai theksoi se në vitin e kaluar 2022, përkundër të gjitha sfidave, arritëm një konsolidim fiskal më të mirë se sa ishte paraparë me buxhet, pra në vend të një deficiti prej 5.3%, ka pasur një deficit prej 4.3%. Ne arritëm të rivendosim, siç tha ai, rregullin e artë – që investimet kapitale të jenë më të larta se deficiti.

“Ne do të vazhdojmë me përpjekjet për konsolidim fiskal dhe nuk do të devijojmë nga reformat. Kemi filluar një reformë për të krijuar një sistem modern tatimor, që do të thotë drejtësi, efikasitet, transparencë dhe do të bazohet në teknologjitë dhe inovacionet moderne digjitale, e gjitha kjo me qëllim të realizimit të rritjes ekonomike të përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, tha Besimi.

Reforma tatimore që vendosëm si koncept, theksoi ai, nuk nënkupton rritje të taksave, por është në drejtim të zgjerimit të bazës tatimore dhe rishikimit të përjashtimeve tatimore, të cilat krijojnë trajtim të pabarabartë të taksapaguesve.

“Një politikë fiskale e shtrirë që u zhvillua gjatë pandemisë, përmes mbështetjes së synuar për ruajtjen e likuiditetit të kompanive, ruajtjen e vendeve të punës dhe asistencës sociale për të papunët dhe kategoritë vulnerabël të qytetarëve, rezultoi në një rritje të deficitit buxhetor në 8.1 për qind të PBV-së në vitin 2020 që rezultoi me një rritje të mprehtë të borxhit publik në 59.7 përqind të PBV-së, duke arritur një borxh publik rekord prej 61 përqind në 2021. Me përkushtim të vazhdueshëm për konsolidim fiskal, mund të mburremi se në fund të vitit të kaluar ka zbritur në nivelin prej 57.1 për qind të BPV-së, tha Besimi.

Ai thekson se është domethënëse që niveli i borxhit publik është ulur në kushtet e krizës dhe se është nën kriterin e Mastrihtit (60 për qind).

“Mund të themi gjithashtu se deficiti buxhetor është në kuadrin e kriterit të Mastrihtit prej 3 për qind të PBV-së. Nëse marrim parasysh se nga deficiti i realizuar prej 4.3 për qind, rreth 2 për qind është për përballimin e krizës, kemi arritur një deficit që është në kuadër të rregullave europiane, theksoi Besimi dhe shtoi se trendi i uljes së deficitit vazhdon që nga fillimi i këtij viti dhe shifrat tregojnë se është 35 për qind më i ulët se deficiti i realizuar në atë periudhë nga viti 2022.

Related posts

Deri në orën 15 dalja e votuese 34,96%

Gjyla Halili

Pendarovski dhe Siljanovska vazhdojnë fushatën për zgjedhjet presidenciale

Gjyla Halili

Aleanca për Shqiptarët reagon ndaj deklaratës së Mickoskit

Gjyla Halili

Leave a Comment