AKTUALE

Fushata zgjedhore për zgjedhjet presidenciale hyn në gjysmën e dytë, për zgjedhjet parlamentare fillon më 18 prill

Fushata zgjedhore e kandidatëve presidencialë për raundin e parë të zgjedhjeve të 24 prillit hyn në gjysmën e dytë, ndërsa për pesë ditë, më 18 prill, fillon fushata për zgjedhjet parlamentare. Në fokus është integrimi europian i vendit, reformat e nevojshme, por edhe situata ekonomike, krimi dhe korrupsioni. Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) dje ka konfirmuar listat e deputetëve për zgjedhjet parlamentare, por edhe disa lista nuk janë pranuar. Është hedhur edhe shorti për renditjen e fletëvotimit për zgjedhjet parlamentare.

Kandidati për president, Stevo Pendarovski, në kuadër të karvanit zgjedhor nëpër Maqedoni, vazhdon me takimet e qytetarëve në Zhelinë të Bërvenicës dhe me qytetarët e Tearcës, e më pas do të mbajë tubime në Jegunovc dhe Tetovë. Kandidatja për presidente e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit Gordana Siljanovska-Davkova do të mbajë takime me qytetarët dhe tubime në Zelenikovë, Butel dhe Karposh.

Kandidati për president i GROM-it dhe koalicionit Stevço Jakimovski gjatë ditës do të takohet me qytetarët e Kriva Pallankës. Kandidatja presidenciale e mbështetur nga e Majta, Biljana Vankovska, do të ketë takime me qytetarët e Strugës dhe Ohrit. Kandidati për president i koalicionit VLEN Arben Taravari do të ketë takime me qytetarët në Parkun e Sarajit, ndërsa në mbrëmje do të mbajë tubim në Kumanovë. Kandidati për kryetar i ZNAM, Maksim Dimitroevski, do të jetë në mesin e qytetarëve të Kërçovës, Demir Hisarit, Krivogashtanit dhe në mbrëmje në Prilep.

Kërkoj nga ju, më 24 të këtij muaji, mobilizim masiv politik që në raundin e parë zgjedhor të tregojmë se jemi për Maqedoni normale, të avancuar dhe evropiane për të gjithë, dhe jo shtet të kapur, për disa njerëz, për një apo për një familje. Më 8 maj vetëm se do ta vulosim fitoren, por jo për ne, jo për mua personalisht, jo për kryeministrin e ardhshëm, deputetin apo ministrin e ardhshëm, por për të gjithë fëmijët, për të gjithë brezat e ardhshëm, sepse e meritojmë pas 33 vitesh pas këtij tranzicioni të gjatë dhe të dhimbshëm, më në fund të bëhemi pjesë e familjes evropiane, tha sonte nga tubimi qendror në Qendër, kandidati për president Stevo Pendarovski.

Nuk ka plan “B”, ka vetëm plan “A”, theksoi Pendarovski në lidhje me ndryshimet kushtetuese të cilat, siç tha, duhet të kalojnë për t’u bërë anëtare e BE-së. Ai u përqendrua edhe në debatin parazgjedhor me kundërkandiatët, duke theksuar se do të marrë pjesë kudo që të mbahet, me përjashtim të vogël duke aluduar në RTVM-në për të cilën ka rezerva.

“Unë kam qenë i pari që kam ofruar debat me të gjithë kandidatët dhe nuk bëra selektim – “ky të jetë, apo ky mos të jetë”. Në atë debat ku do të marrin pjesë të shtatë kandidatët, do të jem kudo që të jetë, me një përjashtim të vogël, RTVM-në. Këtu kam rezerva. Nëse është e vërtetë, për aferën që doli ditë më parë, se gjoja ka dokumente që dëshmojnë se shtabi i partisë më të madhe opozitare ka organizuar qendër për prodhimin e lajmeve të rrejshme dhe propagandës politike, atëherë le të presin derisa organet kompetente ta sqarojnë rastin, sepse ndoshta mund të mos jetë e vërtetë, mund të jetë falsifikim. Fillimisht pastrojeni, pastaj do më thërrisni në debat”, nënvizoi Pendarovski.

Në mitingjet në Shkup ai mori mbështetje edhe nga lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili edhe një herë tha se kësaj radhe zgjedhja është mes shpresës dhe mungesës së shpresës, përparimit apo kthimit në të kaluarën.

“E di se qytetarët do të marrin vendimin e duhur për shtetin. Ata duan dhe meritojnë standard evropian në vendin e tyre dhe ne kemi vullnet, dije dhe ekip për të dhënë rezultate”, tha Kovaçevski.

Sipas tij, vota për Pendarovskin dhe koalicionin për të ardhme evropiane është votë për Maqedoninë evropiane.

“Së bashku me presidentin tonë Stevo Pendarovski kemi vizion dhe plan se si ta çojmë Maqedoninë në Bashkimin Evropian. Dhe me ju qytetarë, së bashku do të kemi sukses në këtë. Te pala tjetër shohim se asgjë nuk ka ndryshuar. DPMNE është e njëjta parti nga e kaluara, me të njëjtët njerëz. Me ta, asnjë ndryshim pozitiv nuk është i mundur. Me DPMNE-në është i mundur vetëm kthimi në izolim dhe të kaluarën e errët, shumë larg Evropës”, ka thënë Kovaçevski.

Mbrëmë kandidatja për presidente e përkrahur nga VMRO-DPMNE Siljanovska-Davkova para qytetarëve të Gostivarit dhe Tetovës e prezantoi programin zgjedhor, ndërsa në tubime foli edhe lideri i partisë Hristijan Mickoski.

Siljanovska Davkova theksoi se tranzicioni në vend është ndër më të gjatët dhe paraqet maratonë pa fund dhe se duhet të punohet në standardet evropiane.

“Raportet tregojnë se me këtë pushtet mund të vazhdojmë vetëm në një lëvizje ciklike, në një regjim hibrid, sistem ku ka zgjedhje, ka institucione, por institucionet janë të dobëta, zgjedhjet nuk janë gjithmonë të drejta dhe demokratike, por më të fuqishmit janë më të fuqishëm. çdo fuqi kërcënon që t’u korruptojë, pushteti absolut i korrupton ata në krye të të gjitha institucioneve. Për më tepër, kur në pozicionet kyçe gjenden njerëz pa dinjitet, pa autoritet, është logjike që ata të rrethohen me njerëz të ngjashëm… Prandaj janë sëmundje ngjitëse edhe korrupsioni dhe krimi, janë bërë pra sistematik”, tha Siljanovska Davkova.

Pastaj, vazhdoi ajo, ne kemi bartës formal të pushtetit dhe bartës real të pushtetit.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së i drejtoi disa pyetje Pendarovskit lidhur me atë se çfarë planesh “ka sajuar në vilën Vodno me Artan Grubin, Dimitar Kovaçevskin dhe Ali Ahmetin para disa muajsh lidhur me Kodin penal”.

“Ky i ndershmi Stevo Pendarovski është mirë të thotë se çfarë ka bërë dhe çfarë planesh ka sajuar në vilën Vodno në prani të Artanit, Kovaçevskit dhe Ahmetit para disa muajsh lidhur me ndryshimet në Kodin penal dhe amnisti të mundshme të ish politikanëve. Për çfarë qëllimi? Me qëllim të kalojnë në mënyrë të kontrabanduar ndryshimet kushtetuese dhe të pranohet diktati bullgar dhe në të njëjtën kohë të amnistohen ish politikanë që do të dëmtojnë ose të tentojnë të dëmtojnë VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin ‘Maqedonia juaj’. Stevo Pendarovski duhet të përgjigjet për këtë dhe pastaj të diskutojmë nëse do të shkojmë në debat apo jo, ku u tha sot se Stevo si frikacak i madh kësaj po i shmanget”, tha Mickoski.

Kandidati presidencial i Frontit Evropian, Bujar Osmani, i cili foli në një diskutim me temën “Përforcimi i partneriteteve strategjike me SHBA dhe BE dhe etablimi adekuat ndërkombëtar përmes politikës së jashtme”.”, tha se një nga rolet kryesore që sheh në funksionin e presidentit është se do të angazhohet të jetë busull i orientimit euroatlantik me fokus në SHBA-në, ndërsa dialogun strategjik do ta ngre në nivelin e presidentëve të shteteve në nivelin më të lartë të mundshëm,.

Ai përsëriti zotimin e tij se gjëja e parë që do të bëjë nëse zgjidhet në krye të shtetit do të jetë caktimi i një takimi me liderët e partive që do të zgjasë deri në arritjen e një konsensusi për Bashkimin Evropian dhe gjëja e dytë, sipas tij, është një konsensus për dialogun strategjik me SHBA-në.

Në pyetjen e një gazetari në lidhje me komentin e kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski se është vonuar mundësia e krijimit të konsensusit për ndryshimet kushtetuese dhe se si mendon se duhet të përfshihet opozita, Osmani thotë se kjo nuk është e vërtetë dhe se Partia opozitare po manipulon qytetarët në lidhje me përmbajtjen e Propozimit Francez dhe të Kornizës negociuese me keqinterpretim.

Kandidatja për presidente nga partia e Majtë, Biljana Vankovska, e prezantoi programin para qytetarëve të Kamenicës së Maqedonisë dhe Dellçevës. Siç tha ajo, për herë të dytë e viziton Kamenicën e Maqedonisë, dhe qëllimi është të bisedojë me qytetarët “ballë për ballë” për problemet aktuale dhe prezantimin e programit që ajo ofron si kandidate për president.

Sipas Vankovskës, lajmi i ditës është se nuk do të ketë debate, sepse, siç tha, qytetarët nuk do të mund të dëgjojnë argumentet e së Majtës.

Related posts

Escobar në Kongres: Ka pasur dhunë të papranueshme ndaj gazetarëve, Policisë dhe KFOR-it në veri

admin

Nuk kaloi Ligji per Lojërat e Fatit! 51 deputete votuan “PRO”, nevojiten 61

Gjyla Halili

BE – PUBLIKON PROPOZIM-MARRVESHJEN MES KOSOVËS DHE SERBISË

admin