AKTUALEOPINIONE

“Dyshoj se projekti i Osmanit ishte ndihmesë për Serbinë e jo Kosovën”, reagon profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi, i ka reaguar kandidatit për president në Maqedoninë Veriore Bujar Osmani. Ky i fundit, ka deklaruar se kishte hartuar një projekt për zgjidhjen e krizës mes Kosovës dhe Serbisë, për “të mos ndodhur më e keqja”.

Profesori në shkrimin në Facebook, ka hedhur dyshimet se projekti i Osmanit ishte ndihmesë për Serbinë e jo Kosovën, përcjell Bota sot.

Ai ka përmendur disa norma, përmes së cilave, sipas tij, mund të vërtetohet nëse Osmani kishte qëllime të mira.

Reagimi i plotë i Bytyçit:

Bujar Osmani është lëshuar në televizione të ndryshme e po përpiqet t’i bindë shqiptarët se ai e paska hartuar projektin e zgjidhjes së krizës midis Kosovës e Serbisë, pasiqë paska patur frikë se ndodh më e keqja. Dhe për ta rrit dozën e bindjes thotë se është edhe kosovar, përveçse shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Pra, kërkon që të largohen dyshimet se me atë projekt ka dashur të ndihmojë Serbinë e jo Kosovën. Thotë se përkundrazi, donte të ndihmonte Kosovën. Por janë disa norma e praktika me të cilat mund të verifikohet lehtësisht nëse Bujar Osmani ka patur qëllime të mira ose jo:

1. A u konsultua zoti Osmani me autoritet e Kosovës për këtë projekt? Në mos me autoritetet shtetërore a pati kontakte me ekspertë të fushës, e nëse po, me cilët ekspertë? Ne e dimë se ekspertë vetëquhen edhe ata që bëjnë avokatin e djallit (Serbisë) në medie e sidomos në ekranet televizive shqiptare. Pra, nëse është konsultuar me ekspertë le t’i thotë emrat dhe publiku do të gjykojë se çfarë përfaqësojnë këta ekspertë dhe më pas edhe çfarë perfaqëson projekti nëntë pikash i Bujar Osmanit.

2. Zoti Osmani kur hartoi projektin ishte kryesues i OSBE-së. Në këtë cilësi, para se sa të hartonte projektin me nëntë pika, a pati kryer ndonjë studim, hulumtim ose investigim në terren për situatën dhe zhvillmet që po ndodhnin midis Kosovës e Serbisë me pikërëndesë veriun e vendit? Nëse po, cilët ekspertë dhe cilat organizata qeveritare ose joqeveritare ka angazhuar në këtë punë hulumtuese? Nëse jo, duhet të na thotë se si arriti në përfundimin se “Situata ishte e rrezikshme për Kosovësn”! Kush ia ofroi informacionin për këtë?

3. Në përfundim duhet thënë se perceptimi i zotit Osmani se “Situata në veri të Kosovës ishte e rrezikshme” rezultoi i pavërtetë. Pas projektit të tij, ndodhi 24 shtatori i vitit të kaluar. Dhe akti terrorist serb kundër Kosovës u përballua jo me largimin e forcave speciale e policore të Kosovës nga veriu, por me veprimin e tyre profesional shembullor. Pra, faktet dëshmuan se projekti i zotit Osmani ishte më së paku jo realist. Nuk po them se i shërbente Beogradit, edhe pse në fakt më 24 shtator do ta kishte fituar betejën Radoiçiq, nëse Kosova do të kishte marrë mendtë e Bujar Osmanit!

Eshtë më mirë të pranosh gabimin, të thuash se gabova, të kërkosh ndjesë për këtë, sesa të përpiqesh të justifikosh veprimet e tua edhe më tej. Ikja dhe mbulesa e gabimeve nuk i zgjidh konfliktet, as nuk e pastron ndërgjegjen e askujt. Përkundrazi, sidomos ne shqiptarët, duhet ta njohim më shumë institucionin e reflektimit dhe të pendesës. Gjithkush gabon. E moralshme është të mos sajosh hipoteza të pamundura për t’u provuar për qëllime justifikimi!

Related posts

KSHZ: Deri në ora 17, kanë votuar 44.18% e qytetarëve

Gjyla Halili

Sela, në të kaluarën kritikonte ashpër BDI-në

Gjyla Halili

Grubi: Çdo projekt i realizuar në Shkup mban vulën e Ali Ahmetit

admin