Në njërin nga sheshet e qytetit të Kumanovës po vijojnë punimet në kohë të fushatës zgjedhore. Po meremetohet sheshi i ashtuquajtur i vogël pranë Shtëpisë së Kulturës.
Komuna e Kumanovës për këtë projekt ka ndarë 773 mijë euro, ndërsa tenderi është fituar nga kompania “Lendi Grup” DOOEL nga Shkupi, e cila ka pasur ofertën më të lirë. Punimet e filluara më shumë se një muaj më parë duhet të përfundojnë në afat prej 6 muajve.
Sipas detajeve të kontratës, në shesh do të ndërtohet një kopsht lojrash për fëmijë me hapësirë prej 100 m2, me një dysheme gome, ku do të vendosen 32 figura shahu në lartësi prej 65cm, një karrigë gjashtëkahëshe tek pjesa e drunjëve përballë shtëpisë së kulturës. Po ashtu do vendosen edhe karrige të tjera.
Rikonstruimi i sheshit të vogël është pjesë e projektit për mobilitet urban, që do të zhvillohet në tri faza. Faza e parë është lidhja e dy shesheve me një plato të madhe, ndërsa faza e dytë do të jetë në pjesën e ashtuquajtur “dyqanet e Shkupit dhe lidhjen e tyre si pjesë të sheshit me rrugën “Leninova”, ndërsa faza e tretë ka të bëjë me rrugën e Ilindenit.
previous post