AKTUALE

KSHZ në takim me BNJVL: Organizimi i zgjedhjeve demokratike është detyrim i përbashkët

Kryetari i Bashkësive të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, Orce Gjorgjievski, pati takim me kryetarin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Aleksandar Dashtevski dhe me anëtarë të këtij organi.

Siç njoftojnë nga BNJVL, në takimin e iniciuar me kërkesë të KSHZ-së, është kërkuar përkrahja e duhur teknike dhe logjistike nga komunat në procesin e realizimit të aktiviteteve zgjedhore.

“Komunat janë të obliguara me ligj që të sigurojnë hapësirë për zhvillimin e votimit, por u theksua se në disa vendvotime nevojitet përkrahje edhe në sigurimin e mjeteve të caktuara teknike, si kompjuterë, printera etj”.

KSHZ-ja në mbledhjen e mbajtur dje bëri të ditur se tashmë janë përcaktuar të gjitha lokacionet, shumica e të cilave janë të vendosura në objektet e shkollave, sallat e shkollave apo çerdhet. Njëkohësisht u theksua se janë kujdesur që ato të jenë të vendosura në pjesën përdhese të objekteve dhe të kenë qasje edhe për personat me nevoja të veçanta.

“Për mbarëvajtjen e zgjedhjeve nga aspekti teknik dhe për të mundësuar përmbushjen e të drejtës së votës, në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët, u kërkua nga komunat që të kontrollojnë qasjet e tilla dhe, nëse është e mundur, të përmirësojnë cilësinë e tyre. Me rëndësi të veçantë për KSHZ-në është sigurimi i hapësirave përkatëse ku materiali i nevojshëm zgjedhor do të depozitohet një ditë para zgjedhjeve. Për të gjitha këto, ata kërkuan nga komunat që të takohen me përfaqësuesit e KSHZ-së dhe njoftuan se do të dërgojnë informata me kërkesa dhe udhëzime më specifike deri te BNJVL dhe vetëqeverisjet lokale”, thonë BNJVL.

Kryetari i BNJVL-së, Gjorgjievski, theksoi se zhvillimi i papenguar i zgjedhjeve të drejta dhe demokratike duhet të jetë imperativ për çdo qytetar dhe se është obligim i përbashkët që ato të zhvillohen në mënyrën më të mirë.

Ai shprehu mirënjohjen e tij për ftesën e KSHZ-së për bashkëpunim të ndërsjellë për mbarëvajtjen e përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve dhe theksoi se BNJVL do të sigurojë që komunat t’i përmbushin kërkesat e KSHZ-së dhe do të informohen me kohë për aktivitetet e nevojshme që duhet të ofrohen nga karakteri hapësinor, teknik ose organizativ.

Related posts

Prishën një shtëpi të mbrojtur si trashëgimi kulturore, padi penale kundër Ramiz Merkos dhe katër personave të tjerë

Gjyla Halili

Osmani flet me Blinkenin për stabilitetin në rajon

admin

Bashkëpunim filmik në Zvicër – Kercovaret Besa Rraqi dhe Flamur Arslani në të njëjtin projekt

Gjyla Halili